Ukraina: Forcat e kontrolluara nga Rusia po e rrisin gatishmërinë për luftë, kanë kryer ushtrime të mëdha

Prishtinë | 23 Nën 2021 | 13:18 | Nga Ekonomia Online

Drejtoria për Inteligjencë në Ministrinë e Mbrojtjes në Ukrainë tha të martën se forcat e kontrolluara nga Rusia në lindje të Ukrainës janë duke e rritur gatishmërinë luftuese dhe kanë kryer ushtrime të mëdha.

Kievi dhe vendet e NATO-s kanë shprehur shqetësim se lëvizjet e trupave ruse afër kufijve të Ukrainës do të mund ta shtrojnë rrugën për një eskalim të mprehtë ushtarak. Rusia thotë se nuk ka plane të tilla dhe i ka akuzuar Ukrainën e Shtetet e Bashkuara për nxitje të tensioneve.

Forcat e përkrahura nga Rusia në rajonin lindor ukrainas, Donbass, kanë luftuar kundër trupave ukrainase që nga viti 2014. Sipas Ukrainës, në luftime janë vrarë 14.000 njerëz, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Përmes një deklarate, Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës tha se Rusia “është duke e rritur gatishmërinë luftuese të forcave pushtuese ruse në territorin e pushtuar përkohësisht në rajonet Donetsk dhe Luhansk”.

Në deklaratë më tej thuhet se ushtrimet e forcave të përkrahura nga Rusia filluan të hënën dhe në to janë përfshirë rezervistët e mobilizuar për luftë.

Zyrtarët amerikanë i kanë thënë agjencisë “Reuters” se mbetet e paqartë nëse presidenti rus, Vladimir Putin, ka vendosur për veprimin që do të merret. Asnjëri zyrtar amerikan nuk tha se presin sulm të menjëhershëm, por shtuan se lëvizjet ruse tregojnë për një krizë në ndërtim e sipër.

Të ngjashme