Vazhdon dhuna në Irak, 13 të vrarë për një ditë

Prishtinë | 25 Nën 2019 | 10:09 | Nga Ekonomia Online

Trembëdhjetë protestues u raportuan të vrarë në pjesë të ndryshme të Irakut të dielën në kohën kur protestat kundër qeverisë nuk po shfaqin shenja të zvogëlimit.

Shtatë protestues u vranë në provincën jugore të Basra-s në atë që një zyrtar sigurie e cilësoi si një ndër ditët më të këqija që nga fillimi i kryengritjeve në fillim të tetorit.

Katër protestues u vranë në provincën Nassiriya dhe një tjetër në Najaf. Për më tepër, së paku 150 protestues u plagosën gjatë përleshjeve me policinë në pjesën jugore në Irak.

Më parë në Basra, ku prodhohet 85 për qind e tërë naftës së papërpunuar në vend, protestuesit dogjën goma në qendër të qytetit, duke shkaktuar ndërprerje të qarkullimit të veturave.

Së paku 342 persona kanë vdekur që nga fillimi i protestave më 1 tetor, kur mijëra irakianë, shumica të moshës së re, dolën në rrugë për të protestuar kundër korrupsionit dhe shërbimeve të dobëta publike.

Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Kombet e Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara, e kanë dënuar përdorimin e forcës nga policia irakiane kundër protestuesve, shkruan “Free Europe”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme