Vdes drejtori i Samsung-ut, njeriu më i pasur në Korenë e Jugut

Prishtinë | 25 Tet 2020 | 13:01 | Nga Ekonomia Online

Lee Kun-hee, drejtori i gjigantit të Koresë së Jugut, kompanisë Samsung, vdiq në moshën 78 vjeçare.

Lee vlerësohet se ka transformuar biznesin e vogël të themeluar nga babai i tij në Samsung-un e sotëm, një gjigant ekonomik global që operon në fusha që variojnë nga prodhimi i elektronikës e deri te transporti.

Ai ishte njeriu më i pasur në Korenë e Jugut, me një pasuri të vlerësuar prej rreth 21 miliardë dollarësh, sipas revistës Forbes, raporton BBC.

Shkaku i saktë i vdekjes nuk është deklaruar, por kompania njoftoi se Lee ndërroi jetë i rrethuar nga anëtarët e familjes.

“Të gjithë ne, punonjës të Samsung, do ta kujtojmë me mirënjohje njeriun që na drejtoi”, thuhet në deklaratën e kompanisë së njohur.

Lee u bashkua me biznesin e familjes më 1968, mori kompaninë më 1987 pas vdekjes së babait të tij dhe e transformoi atë nga një kompani që prodhon produkte të lira, me cilësi të ulët, në një prodhues me famë botërore të elektronikës cilësore.

Njeriu i parë i Samsung do të mbahet mend për fjalinë që ai ua drejtoi punonjësve të tij në 1993: “Le të ndryshojmë gjithçka, përveç grave dhe fëmijëve tanë”.

Samsung më pas shkatërroi 150,000 copë celularë për të filluar një fazë të re, moderne dhe dinamike të zgjerimit të tregut global dhe zhvillimit të korporatave.

Të ngjashme