Vuçiq e sulmon deputeten britanike Alicia Kearns: Mos u brengos zonjë, kemi nisur hetime ndaj teje

Prishtinë | 06 Kor 2023 | 13:27 | Nga Ekonomia Online

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka sulmuar deputeten britanike Alicia Kearns për deklaratat e saj që gjatë një fjalimi të saj tha se ka armë që po kontrabandohen në veri të Kosovës nga Serbia përmes autoambulancave dhe se po shkarkohen në kishat serbe.

Ajo tha se për këtë qeveria britanike dhe një regjiment britanik që ka shërbyer në kuadër të KFOR janë në dijeni.

Për këtë deklaratë, Vuçiq për Kearns tha se “është e njohur për aktivitetet e saj antiserbe”.

“Tani, së bashku me veprimet policore, po futin elemente të reja, që është sulm ndaj dy shtyllave të tjera të popullit serb në Kosovë, Kishës Ortodokse Serbe dhe shëndetësisë”.

Vuçiq tha se ndaj saj kanë nisur edhe një hetim, shkruan RTS, transmeton Express.

“Mos u shqetësoni zonjë, ne tashmë po kryejmë një hetim kundër jush, për të parë pse po e bëni këtë, nëse qeveria e Mbretërisë së Bashkuar nuk reagon, ne jemi të detyruar të bëjmë”.

Vuçiq pretendoi se ka pasë “disa shembuj të veprimeve të policisë në të cilat u kontrolluan ambulancat dhe nuk u gjet asgjë”.

“Të gjitha këto po i bëjnë për të shembur sistemin shëndetësor në Kosovë dhe veprimet që po i bëjnë ndaj Kishës Ortodokse Serbe në nuk janë të rastësishme”.

Ndërkaq, kryeministri Kurti dje tha se për këtë çështje do të dihet së shpejti.

“Do ta takoj edhe komandantin e KFOR’it dhe pas të gjitha këtyre takimeve edhe me institucionet tona të sigurisë do të mund ta japim fjalën tonë përfundimtare. Tash jemi duke grumbulluar të dhëna për informacionin ende të paplotësuar, por brenda kësaj jave duhet të dihet kjo çështje. Andaj, sot kam një takim ku do të shtrohet kjo temë”.

Në një përgjigje për Gazetën Express, KFOR’i tha se bëhet fjalë për një ngjarje të vitit 2022, derisa tha se nuk kanë gjetur dëshmi. Po ashtu, KFOR tha se përgjegjësia për kontrabandë i takon “organizatave të Sigurisë së Kosovës”.

“Ngjarja e përmendur nga deputetja britanike i referohet vitit 2022 kur Batalioni Mbretëror Fusilier u dërgua në veri të Kosovës në mbështetje të misionit të KFOR-it. Prezenca e supozuar e armëve ilegale është raportuar në Shtabin e KFOR-it, por pas hetimeve të mëtejshme për konfirmuar këtë, nuk ka dalë asnjë provë për atë që është raportuar. Nuk ka asnjë dëshmi edhe në lidhje me kontrabandën e supozuar të kryer përmes vijës kufitare administrative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kishat ortodokse me autoambulanca. Për një informim të plotë, ky lloj aktiviteti i takon sundimit të ligjit, që është nën përgjegjësinë e Organizatave të Sigurisë së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e KFOR’it.

Deputetja britanike, duke ngritur shqetësimet për sigurinë në këtë pjesë të vendit, tha se për këtë edhe qeveria britanike është në dijeni.

“Qeveria është e vetëdijshme, me Fusilierët [regjiment ushtarak britanik] që sapo janë kthyer nga shërbimi në KFOR, se ka armë që kontrabandohen përtej kufirit nga Serbia në kishat ortodokse me ambulanca. Kur trupat tona vihen në dijeni për këtë dhe përpiqen të marrin leje për të shkuar dhe për t’i marrë ato, lejet zgjasin shumë. Deri në momentin që ka leje – të papritura – një ambulancë veçse ka shkuar në kishë dhe ka shkarkuar përsëri të gjitha armët”, ka thënë ajo dje.

Të ngjashme