Zgjatet për një muaj afati i armëpushimit në Jemen

Prishtinë | 25 Pri 2020 | 14:27 | Nga Ekonomia Online

Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite njoftoi të premten se e ka zgjatur për një muaj afatin e armëpushimit të njëanshëm në Jemen për të ndihmuar në luftimin e pandemisë së Coronavirusit.

Një armëpushim dyjavor, i vendosur nga koalicioni që po lufton me grupin Houthi, që përkrahet nga Irani, skadoi të enjten, ndonëse nuk u arrit marrëveshja për armëpushim të përhershëm, shkruan “France24”.

Grupi Houthi nuk e ka pranuar armëpushimin e mëparshëm të shpallur nga koalicioni dhe dhuna vazhdoi në disa provinca, duke e shtuar frikën se lufta do ta dobësojnë aftësinë e autoriteteve edhe ashtu të dobësuara për t’u përballur me koronavirusin.

Ky grup e rrëzoi nga pushteti qeverinë e njohur nga komuniteti ndërkombëtar në fund të vitit 2014. Ai po kërkon që të largohen bllokadat tokësore dhe ajrore që janë vendosur nga koalicioni në mënyrë që të merren vesh për armëpushim.

Ndryshe, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, muajin e kaluar bëri thirrje që në të gjitha konfliketet në botë të arrihen armëpushime për ta mundësuar luftën kundër pandemisë.

Të ngjashme