Zjarret shkrumbojnë pyjet e Norvegjisë

Prishtinë | 25 Pri 2019 | 15:37 | Nga Ekonomia Online

Dimri i thatë ka bërë që sezoni i zjarreve të bjerë më herët në pjesën veriore të Europës. Kështu, në Norvegji autoritetet janë detyruar të evakuojnë qindra banorë nga zonat jugore të vendit, ku flakët kanë përfshirë pyjet.

Disa qindra persona janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre në Norvegji, për shkak të zjarreve që kanë përfshirë pyjet në jug të vendit. Rreth 148 shtëpi u evakuuan përreth qytetit Sokndal, ku zjarret digjen që prej së martës. Policia ka deklaruar se flakët janë jashtë kontrollit dhe ka paralajmëruar se erërat e forta mund të favorizojnë përhapjen e tyre.

Prilli është një muaj i pazakontë sa i takon rënies së zjarreve në pyjet norvegjeze dhe ekspertët kanë paralajmëruar për një rritje të fenomenit përgjatë kontinentit. Vetëm këtë muaj, zjarre ranë në Suedi, Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar. Për këtë periudhë të vitit, zjarret në Europë janë më lartë se mesatarja, kanë deklaruar burime pranë Qendrës Europiane për Monitorimin e Zjarreve.

Burimet kanë shtuar se dimri shumë i thatë në pjesën dërrmuese të Europës dhe thatësira e vazhdueshme kanë kontribuar në intensifikimin e zjarreve pyjore dhe në një parashikim afatgjatë, situata nuk ka gjasa të përmirësohet.

Policia në jug-perëndim të Norvegjisë ende nuk e di se çfarë e shkaktoi zjarrin, që ka djegur rreth 7.5 kilometra katrorë tokë në afërsi të lokalitetit Sokndal. Autoritetet kanë deklaruar megjithatë se për momentin nuk ka të dhëna për viktima, por paralajmëruan njerëzit që të shmangin kalimin në zonë./abcnews.

Të ngjashme