Zjarri në malet e Rugovës është lokalizuar, por ende nuk është shuar

Prishtinë | 01 Pri 2024 | 14:53 | Nga Natyra Salihaj

Malet e fshatrave Kuqishtë dhe Stankaj në Rugovë të Pejës janë përfshirë mbrëmë nga zjarri, me ç’rast ekipet e zjarrfikësve e kanë lokalizuar zjarrin, kështu ka konfirmuar Gzim Gashi, Drejtori i Emergjencave në Komunën e Pejës për Ekonomia Online.

Gashi ka thënë për EO, se zjarri ende nuk është shuar komplet, por që situata është nën kontrollë.

“Për momentin e kemi zjarrin nën kontroll, shpresojmë mos të na paraqitet ndonjë vatër tjetër, por shpresoj se kemi me e ndalu krejt”, tha ai.

Sa i përket dëmit, Gashi tha se nuk është shumë i madh.

“Nuk është shumë i madh, kemi intervenu me kohë menjëherë ka hapësira të vogla por jo ndonjë pjesë shumë e madhe”, shtoi ai.

“Shkaktarin nuk e kemi të qartë, sepse jemi duke pritur raportin e policisë. Mbrëmë kemi qenë deri në orët e vona në teren, një pjesë ka qenë më rrezik afër shtëpive e kemi arritur me e lokalizu zjarrin dhe me e ndal. Kryesisht ka vatra të zjarrit vende vende, por jo që mundet me i bë dëm ndonjë shtëpie apo qytetari. Zjarrfikësit janë në teren, çdo moment prej mbrëmë afër 48 orë janë në teren dhe po mundohen t’i shuajnë edhe ato vatra të vogla të zjarrit”, tha Gashi për EO.

Të ngjashme