Kosova mirëpret për herë të parë Këshillin Botëror të IUSY – Rinia e VV-së bëhet anëtare vëzhguese

Prishtinë | 16 Maj 2025 | 18:20 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka njoftuar se sot Kosova ka qenë për herë të parë nikoqir i punimeve të Këshillit Botëror të Unionit Ndërkombëtar të të Rinjve Socialistë (IUSY), ku rinia e VV-së është votuar si anëtare vëzhguese e këtij Unioni.

Në këto punime të këtij këshilli, pjesëmarrës ka qenë edhe ish-kryeministër i Greqisë, George Papandreou.

Kurti ka bërë të ditur edhe se pjesëmarrës janë edhe të rinj nga Afrika, Amerika, Azia, Paqësori, Deti i Zi, Mesdheu, Evropa, të cilëve ai u ka folur si kryeministër.

”Si Kryeministër i Republikës së Kosovës, dua ta afirmoj përkushtimin e vendit tonë për të qenë një partner aktiv në rrjetet ndërkombëtare progresiste. Ne besojmë në fuqinë e bashkëpunimit, në respektin e ndërsjellë dhe në mobilizimin e energjive rinore për të ndërtuar një të ardhme të drejtë e të qëndrueshme. Kosova është një vend jo aq i madh, por me një zemër shumë të madhe dhe një vizion të qartë për të kontribuar në kauzat globale të barazisë e të solidaritetit.’, ka shkruar ai.

Të ngjashme