Sindikata e Policisë së Kosovës (SPK) i është drejtuar sot zyrtarisht Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, me kërkesë për përfshirje aktive në monitorimin dhe vlerësimin e të drejtave të pesë zyrtarëve policorë që ndodhen në ndalim, në lidhje me rastin e ndodhur në Lipjan, ku një i ri ka humbur jetën.
Në këtë kërkesë, SPK ka theksuar rëndësinë e mbikëqyrjes së respektimit të të drejtave themelore të të ndaluarve, vlerësimit të proporcionalitetit të masës së ndalimit, duke vënë në dukje se masa e ndalimit ka qenë e panevojshme dhe se kanë ekzistuar alternativa më të arsyeshme. Po ashtu, është kërkuar parandalimi i stigmatizimit publik dhe përdorimit të gjuhës paragjykuese ndaj zyrtarëve policorë, si dhe garantimi i një procesi të drejtë dhe të paanshëm ligjor.
SPK ka bërë të ditur se që nga momenti i ngjarjes ka qenë e pranishme pranë kolegëve të ndaluar dhe familjeve të tyre. Kryetari i Sindikatës, së bashku me bashkëpunëtorët, ka zhvilluar vizita mbështetëse dhe ka realizuar takim me kolegët në Stacionin Policor në Lipjan, për t’i informuar dhe për të ofruar mbështetje konkrete.
Gjithashtu, SPK ka reaguar zyrtarisht në televizionin publik RTK lidhur me rastin, duke kërkuar nga të gjithë akterët institucionalë dhe mediatikë që të kenë një qasje të paanshme, profesionale dhe të balancuar në pasqyrimin e ngjarjes.
Sindikata u ka bërë apel edhe ish-eprorëve dhe ish-zyrtarëve policorë, që në prononcimet e tyre publike të jenë të kujdesshëm dhe të bazuar në ligj, duke theksuar se deklaratat e tyre mund të ndikojnë në opinionin publik dhe në imazhin e Policisë së Kosovës.
“SPK nuk ndërhyn në procesin hetimor dhe nuk paragjykon rrjedhën e drejtësisë, por është e obliguar të kërkojë që ndaj çdo zyrtari të Policisë së Kosovës të ketë trajtim të drejtë, human dhe ligjor, në përputhje me të gjitha standardet vendore dhe ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën për media.