Aktakuzë ndaj dy personave për grabitje

Prishtinë | 21 Kor 2025 | 17:49 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë, kundër të pandehurve E.Xh., dhe K.Xh., të cilët ngarkohen për veprën penale “Grabitja”.

Në njoftim thuhet se rasti ka ndodhur më 23 shkurt 2024 në Ratkoc të Rahovecit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Sipas pikës I të dispozitiv të aktakuzës ndër tjera cekët se më datë 23.02.2024, në fshatin Ratkoc, K. Rahovec, të pandehurit E.Xh., dhe K.Xh., të marrur vesh ndërmjet vete duke i ndarë edhe rolet bashkë dhe me N.N., persona me qëllim përfitimi të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër kanë shkuar rreth orës 03:00 në shtëpinë e të dëmtuarit M.M., hyjnë brenda, shkojnë tek dhoma e gjumit ku po flinte i njëjti, në atë mënyre të pandehurit të maskuar me përdorim të forcës dhe me kanosje serioze të armës automatike llojit AK-47, sulmojnë jetën dhe trupin e të dëmtuarit M.M., dhe bashkëshortes së tij N.M., ashtu që në atë mënyrë të dëmtuarit M.M., i kërkojnë para duke e goditur me mjete të forta në koke dhe trup dhe e godasin po ashtu të dëmtuarën N.M., duke ua marrë nga qafa me force zinxhirët e arit, ashtu që shkrepin një herë me armë dhe me të ikur nga aty ia marrin nga xhepi i setrës shumën prej 7.000 Euro”, thuhet në njoftim.

Me këto veprime, të pandehurit E.Xh., dhe K.Xh., ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Grabitja” nga neni 317, lidhur me par.4, 3 dhe 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Kurse, sipas pikës II të dispozitivit të aktakuzës, i pandehuri K.Xh., ngarkohet se me datë të pacaktuar e deri më 23 shkurt 2024, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët në Kosovë, ka mbajtur armën e llojit AK-47.

Me këto veprime, i pandehuri K.Xh., akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallën fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë.

Të ngjashme