Vuçiç mes viktimizimit dhe sadomazohizmit politik, Serbia një “Rusi e vogël”

Prishtinë | 05 Gus 2025 | 09:24 | Nga Fadil Maloku

Në një deklaratë të fundit që bëri jehonë në qarqet diplomatike dhe opinionin publik ndërkombëtar, presidenti serb Aleksandar Vuçiq shpërtheu ndaj qendrave vendimmarrëse të Perëndimit me fjalët: “Jam ngopur me gënjeshtra. Në vendin tonë, po të dënonim dikë një ditë për një fyerje verbale, do të na thoshin se po shkelim të gjitha normat ndërkombëtare. Por kur bëhet fjalë për ne, asgjë nuk vlen!” Kjo deklaratë, në pamje të parë mund të duket si një reagim emocional e racional, por në esencë, përmban një frustrim të thellë simbolik e sociologjik që reflekton krizën e madhe të identitetit politik dhe narrativ të Serbisë pas humbjes së pesë luftërave të viteve ’90.

I.

Nga këndvështrimi i sociologjisë së njohjes, deklaratat e Vuçiqit nuk mund të lexohen thjesht si qortime ndaj Brukselit apo Uashingtonit. Ato për gjykimin tim janë pjesë e një strategjie më të thellë diskursive që synon prodhimin e një haloefekti kolektiv, pra, një mjegull retorike që ushqen ndjenjën e viktimizimit dhe të konspiracionit në qytetarinë serbe. Ky konstrukt është i vjetër dhe i ngulitur thellë në ndërgjegjen kolektive serbe qysh nga shpërbërja e ish Jugosllavisë.

Ai është kultivuar, ushqyer e mbindërtuar përmes një inxhinierie sociologjike të sofistikuar që ka ndërtuar dhe mirëmbajtur me xhelozi narrativën e viktimizimit kolektiv, e që fatkeqësisht për bindjen time si thuhet ka “pirë ujë” për dekada te një pjesë të madhe e shteteve të BE-së. Për fat të keq, përveç Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shumë vende evropiane nuk kanë arritur ta kuptojnë se ky viktimizim është instrumentalizuar me vetëdije si strategji hibride për të kanalizuar pakënaqësinë qytetare ndaj një “armiku të jashtëm” (Amerikës, Gjermanisë, Britanisë), duke shpëtuar kështu elitën politike nga përgjegjësia për krizën ekonomike, krimin e organizuar, korrupsionin dhe mungesën e reformave demokratike në Serbi.

Thënë me gjuhën sociologjike të Émile Durkheim, ky lloj diskursi i viktimës nuk është gjë tjetër veçse një sakralizim i fajsisë që shërben si katalizator për kohezionin shoqëror artificial, përmes një “armikut të përbashkët”. Pra, është një kompensim moral dhe politik që i mundësoj pushtetit autokratik të Vuçiqit të justifikojë mungesën e demokracisë së brendshme përmes një lloj sadomazohizmi politik: Ku Serbia, sipas tij, është projektuar në sytë e serbëve vetém si një viktimë që gjen kënaqësi dhe legjitimitet në dhimbje dhe në padrejtësitë që bëhen ndaj saj dhe popullit serb.

II.

Deklarata e Vuçiqit: “Për ne nuk vlen asgjë”, nuk është asgjë tjetër veçse një konstrukt simbolik i drejtësisë selektive, ku Serbia perceptohet si një vend i stigmatizuar, i cili si Gjermania pas Luftës së Dytë Botërore, detyrohet të mbajë mbi supe fajësinë për luftërat e Ballkanit. Kjo ishte edhe një përpjekje për të përftuar alibi morale në planin ndërkombëtar, përmes politikës së keqardhjes – një lloj “karremi emocional” për mbështetje gjeopolitike e gjeostrategjike, ku “loja e dy karrigeve” për një kohë të gjatë arriti të “notoj” me suksesë nëpër kancelaritë e Uashingtonit e Brukselit.

Ndërkaq, ku Vuçiq ankohet se “po të ndëshkonim ne dikë, do të na akuzonin”, ai i drejtohet një metafore të përmbysur të drejtësisë: ai kërkon që përgjegjësitë për gjuhën e urrejtjes, për tensionet në veri të Kosovës, për sulmet ndaj pakicave etnike dhe për sabotimin e marrëveshjeve, të relativizohen si rezultat i hipokrizisë perëndimore. Ky është një mekanizëm sociopolitik i përjashtimit të përgjegjësisë nga vetja, që i ka mundësuar Vuçiqit ta ruajë pushtetin përmes një legjitimiteti të manipuluar emocionalisht. Në këtë kuptim, me gjuhën e Max Weberit, ai përdor karizmën e viktimës për të zëvendësuar mungesën e autoritetit legjitim racional. Dështimet e brendshme, krizat socioekonomike dhe tensionet ndëretnike ia adreson një “tjetri” të jashtëm – BE-së dhe SHBA-së – por kurrsesi Kinës apo Rusisë.

III.

Së fundit, kur Vuçiq e përmend “gënjeshtrat” dhe “standardet e dyfishta” të Uashingtonit e Brukselit, ai nuk shpreh vetëm mllef. Ai de facto po përgatit opinionin publik për një rend moral alternativ që do të sfidojë sistematikisht rendin liberal-perëndimor. Serbia, në këtë vizion të tij që po e dinë edhe “zogjët e malit”, do të jetë një “Rusi e vogël në Ballkan”, e ngarkuar me një mision të ri historik – të qëndrojë përballë Perëndimit dhe të zgjerojë sferën e ndikimit rus e kinez në rajon.

Por, në mënyrë paradoksale, ky pozicionim afatgjatë shkon në favor të interesave kombëtare shqiptare: sepse sa më shumë që Serbia izolohet në pozicione autokratike e anti-perëndimore, aq më shumë konsolidohet partneriteti shqiptar me Perëndimin, në veçanti me Amerikën. Dhe ky është epilogu më i fortë i një diskursi të gabuar, që përdor viktimizimin për të fshehur ambiciet hegjemone. Mirëpo, nëse do të duhej të përmblidhej në një fjali deklarata e Presidentit serb, duhet konstatuar se: Vuçiqi nuk është viktimë e Perëndimit, por inxhinier i një vetëviktimizimi politik që po e fundos Serbinë në një hendek historik nga i cili përfitojnë të gjithë, përveç vetë serbëve…

Të ngjashme