Rubin: Po, kam thënë se Thaçin e kanë akuzuar kur po e bënte marrëveshjen me Serbinë

Prishtinë | 16 Sht 2025 | 13:35 | Nga Ekonomia Online

Ish-ndihmëssekretar amerikan i shtetit, James Rubin pranoi se në një intervistë në korrik të këtij viti(2025), kishte thënë se ish-presidentin Hashim Thaçi e kanë akuzuar në momentin që po e bënte marrëveshjen me Serbinë.

Rubin kishte thënë se Gjykata Speciale është shembulli i drejtësisë ndërkombëtare që ka dalë jashtë kontrollit.

“Po tani tribunali i Kosovës është shembulli i drejtësisë ndërkombëtare që ka dalë jashtë kontrolli. Krijuan një çështje të pabazë për drejtuesin e çështjeve të Kosovës dhe e kanë akuzuar në momentin që po krijonte marrëveshje paqeje me Serbinë, e futën në burg. Ka qenë në burg për katër vite e më shumë por nuk janë në gjendje as t’i mbledhin të gjitha provat bashkë që tri vite e gjysmë sepse po shpikin ligjin”, u dëgjua të ketë thënë Rubin, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Dëshmitari tha se i kujtohet që i ka thënë këto deklarata dhe si rrjedhojë pjesë të videos u pranuan në prova materiale.

Me kaq përfunduan pyetjet e Prokurorisë për këtë dëshmitar, duke shtuar se mund të kenë pyetje të tjera që dalin nga përmbledhje ose deklarata të dëshmitarëve të tjerë të mbrojtjes që nuk janë marrë ende. Pace tha se kjo do të varet krejtësisht prej deklaratave të dëshmitarëve të tjerë.

Prokurori- Rubinit: S’e keni lexuar aktakuzën, dosjen paragjyqësore e as s’i keni dëgjuar dëshmitarët por keni thënë që Thaçi ndiqet penalisht për arsye absurde

James Rubin u ballafaqua me deklarata të tij të mëhershme që i kishte dhënë në publik lidhur me procesin gjyqësor në Hagë dhe aktakuzën ndaj Hashim Thaçit dhe tjerëve.

Ai e kishte përshkruar Prokurorinë si turp në një deklaratë në korrik të këtij viti, për të cilën, Rubin tha se mund të ketë qenë shprehje e pamatur.

“Mund ta kem përdorë atë fjalë që mbase ka qenë jo e matur. Por, kur je në televizion mbase përdor edhe fjalë që mbase nuk duhet përdorur. Sidoqoftë unë mund edhe ta tërheq edhe këtë fjalë”, deklaroi Rubin.

Dëshmitari kishte thënë se as nuk e kishte lexuar dosjen paragjyqësore, as aktakuzën dhe as nuk i kishte ndjekur dëshmitë e dëshmitarëve. Më pas, prokurori James Pace duke ia përmendur këtë fakt e ballafaqoi dëshmitarin me deklaratën e dhënë në korrik lidhur me Prokurorinë.

“Ligji është shumë kompleks dhe fatkeqësisht mund të shpërdoret nga anët politike, nga grupet e të drejtave të njeriut në vetvete, nga gazetarët… Sinqerisht, besoj që në Ballkan ishte… i drejtësisë ka dalë jashtë kontrolli dhe këtë e shoh si shembull të Prokurorisë, konkretisht ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit është një turp. Qeveria e Kosovës e krijoi tribunalin vetë, e bëri të pamundurën dhe më pas ai ndiqet penalisht për gjëra krejt absurde se ai paska kontrolluar gjithçka që nuk është e vërtetë. E kanë mbajtur në burg për shumë vite sepse nuk dinë se si të vazhdojnë me këtë gjykim”, kishte deklaruar Rubin.

James Rubin kishte thënë se ushtria serbe ka kryer 95% të vrasjeve masive dhe të barazosh këtë me atë që bënë shqiptarët e Kosovës është absurde dhe për të ardhur keq.

“Fakti se nuk e lirojnë as me kusht presidentin dhe presin që të gjejnë prova dhe të gjejnë zgjidhje se si të vijojnë për këtë gjykim, mendoj se kjo është një problem”, kishte thënë Rubin.

Ai tha se ka qenë shumë herët në mëngjes intervista, por po ato ishin fjalët e tij.

Të ngjashme