Hyrjen gabimisht të disa automjeteve të Forcës së Sigurisë të Kosovës në një rrugë në veri të vendit, Lista Srpska po mundohet ta paraqesë si “provokim të rrezikshëm” dhe ekzagjeroi se prezenca e tyre atje rriti tensionet.
“Arritja e sotme e anëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Mitrovicën e Veriut pa miratimin e komandantit të KFOR-it dhe pa pëlqimin e qytetarëve që jetojnë në veri të Kosovës ka shkaktuar trazira në mesin e popullit serb dhe ka rritur tensionet. Ky veprim përfaqëson një provokim të rrezikshëm dhe të qëllimshëm, që synon destabilizimin e situatës në terren dhe shkaktimin e frikës dhe trazirave në mesin e popullit serb”, pretendoi kjo parti.
Policia e Kosovës dhe vetë FSK-ja reaguan për ta sqaruar se hyrja e konvojit të FSK-së ndodhi gabimisht.
“Forca e Sigurisë së Kosovës njofton publikun që sot me datë 16.10.2025 në ora 10:30, gjatë lëvizjes së konvojit të FSK-së nga Istogu për në kazermën e FSK-së në Mitrovicë, pjesëtarët e FSK-së me automjete e kanë ngatërruar drejtimin e lëvizjes”, thuhet në njoftimin për media të FSK-së.
Lista Srpska ka kërkuar nga KFOR që “të rrisë vigjilencën dhe praninë e forcave të tij në të gjitha zonat serbe në veri, me qëllim parandalimin e përpjekjeve të reja për veprime të njëanshme dhe mbrojtjen e paqes dhe sigurisë së të gjithë qytetarëve”.
“Është e qartë se regjimi në largim në Prishtinë po përpiqet të provokojë tensione dhe konflikte në këtë mënyrë, me qëllim largimin e vëmendjes së publikut nga dështimet e tij dhe rritjen e pozicionit të tij të lëkundur politik në mesin e votuesve të tij”, thuhet tutje në njoftim.