Kandiq: Paunoviq është nga Peja dhe i njeh krimet – deklaratat e saj tregojnë se ideologjia e spastrimit etnik nuk është braktisur

Prishtinë | 16 Kor 2026 | 12:45 | Nga Ekonomia Online

Aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, ka reaguar ndaj deklaratave të ministres serbe Snezhana Paunoviq, duke theksuar se ajo e di mirë se çfarë ka ndodhur në Pejë gjatë luftës në Kosovë.

Kandiq ka rikujtuar se Paunoviq është e lindur në Pejë dhe se është në dijeni se më 27 mars të vitit 1999 policia serbe dëboi pothuajse të gjithë popullsinë shqiptare nga qyteti.

Sipas saj, qytetarët u detyruan të largoheshin në kolona, në këmbë drejt Malit të Zi, ndërsa të tjerë u deportuan me autobusë në Shqipëri.

“Ministrja Paunoviq është nga Peja. Ajo e di mirë se më 27 mars 1999 policia serbe dëboi nga Peja pothuajse të gjithë popullsinë shqiptare – se njerëzit largoheshin në këmbë, në kolona drejt Malit të Zi, ndërsa me autobusë deportoheshin në Shqipëri”, ka deklaruar Kandiq.

Ajo ka përmendur edhe krimet e kryera në fshatrat Çyshk, Pavlan, Zahaq dhe Lubeniq, ku, sipas saj, civilët u vranë, ndërsa trupat e tyre u dogjën.

Kandiq ka thënë se, pavarësisht njohurive për këto ngjarje, Paunoviq e paraqet publikisht spastrimin etnik si një zgjidhje të dëshirueshme politike dhe shpreh keqardhje që ai nuk ishte zbatuar në vitin 1998.

“Ajo i di të gjitha këto, por pavarësisht kësaj, e paraqet publikisht spastrimin etnik si një zgjidhje të dëshirueshme politike dhe shpreh keqardhje që nuk ishte zbatuar në vitin 1998”, ka shtuar ajo.

Kandiq ka paralajmëruar se deklaratat e ministres serbe nuk duhet të shihen vetëm si një koment për të kaluarën, por si dëshmi se ideologjia që qëndron pas spastrimit etnik vazhdon të jetë e pranishme.

“Fjalët e saj nuk i përjetoj si një diskutim për të kaluarën, por si një mesazh se ajo ideologji nuk është braktisur”, ka shtuar Kandiq.

Të ngjashme