Advocacy Training and Resource Center (ATRC) ka publikuar raportin “Mes Ligjit dhe Realitetit: Të Drejtat e Punës në Kosovë dhe Sfidat e Zbatimit në Sektorin Privat”, i cili analizon gjendjen e të drejtave të punëtorëve në sektorin privat, sfidat në zbatimin e legjislacionit dhe rolin e institucioneve përgjegjëse në mbrojtjen e tyre, raporton Ekonomia Online.
Raporti evidenton se, ndonëse Kosova ka një kornizë ligjore të avancuar për mbrojtjen e të drejtave të punës, zbatimi praktik mbetet i kufizuar për shkak të mungesës së kapaciteteve institucionale, mbikëqyrjes së pamjaftueshme dhe koordinimit jo të plotë ndërinstitucional.
Drilon Shala hulumtues në këtë institucion i cili prezentoi të gjeturat e raportit, tha se shkeljet më të shpeshta që janë evidentuar kanë të bëjnë me mospagesën e orëve shtesë, mungesa të kontrateve të punës e çështje të tjera.
“Shumë shkurtimisht, në mënyrë që me u kuptu kjo, edhe pak a shumë metodologjia që është përdorur, që normalisht i jep edhe dhënat që i marrin edhe kredibilitetin e gjithë këtij hulumtimi. Është bazuar në një qasje të kombinuar, pra ka ndërlidhur burime të ndryshme të të dhënave, siç janë: analiza e legjislacionit, e kornizës, dokumenteve strategjike, statistikave të ndryshme të punës, të dhënave direkte, të cilat nënkuptojnë që ka pasur edhe takime direkte me formë të intervistës me akterë institucionalë, anketa po ashtu me punëtorë të sektorit privat, po ashtu të dhëna të grumbulluara dhe analiza e tyre.
Po kaloj pa humbur shumë kohë me, me disa nga gjetjet e para kryesore të raportit, që kanë të bëjnë me zbatimin e të drejtave të punës dhe praktikat institucionale. Shkeljet është evidentuar që janë të drejta pune pothuajse sistematike edhe të përqendruara në sektorë specifikë.
Pavarësisht se u tha edhe nga parafolësit, Kosova pra ka një kornizë ligjore dhe relativisht të avancuar për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, konsiderohet se zbatimi praktik mbetet i kufizuar për shkak të dobësive institucionale, kapaciteteve të pamjaftueshme dhe koordinimit jo të plotë ndërinstitucional.
Shkeljet më të shpeshta që janë evidentuar kanë të bëjnë me mospagesën e orëve shtesë, vazhdojnë të kenë mungesë të kontratave të punës, mosrespektim të pushimeve, e po ashtu mosrespektim të pagës minimale. Sektorët më të prekur vazhdojnë të jenë: ndërtimtaria, gastronomia, sigurimi fizik dhe pastrimi e mirëmbajtja, që hyjnë në kuadër të sektorëve mbështetës.
Kur themi që kapacitetet institucionale nuk janë në përputhje me sfidat e tregut të punës, veçse u tha dhe përpjekjet që aktualisht po bëhen për me i shtu gjërat, po aktualisht edhe për pjesën e Inspektoratit të Punës, siç u bë e ditur angazhimi i inspektorëve shtesë e kështu me radhë. Mirëpo kemi të bëjmë edhe me disa elemente të tjera, për shembull te pjesa e Inspektoratit të Punës që vazhdon të përdorë qasje të bazuar në risk, numri i kufizuar i inspektorëve, edhe mundësia ose monitorimi sistematik i sektorëve me risk të lartë”, tha ai.
Kurse, ushtruesi i detyrës së Drejtorit Ekzekutiv, të Inspektoratit të Punës, Kastriot Jashari tha se po po punojnë që të parandalojnë aksidentet me fatalitet, por edhe ato që ndodhin herë pas here në vendet e punës.
“Ajo çfarë desha t’ju them është se Inspektorati Qendror i Punës, me mbështetjen e plotë të ministrit Hoti dhe zëvendësministrit Dobruna, si strukturë aktuale që jemi, po përpiqemi që t’i parandalojmë jo vetëm aksidentet me fatalitet, por edhe ato të cilat na ndodhin herë pas here në vendet e punës. Ne në përgjithësi po përballemi me një situatë që dihet pothuajse se ka mungesë të kapaciteteve të inspektorëve, për çfarë ne jemi në proces të rekrutimit. Por, megjithatë, ajo çfarë kemi parë gjatë kësaj kohe është që aksidentet nganjëherë ndodhin edhe në mungesë të qartësimit ose ndarjes së plotë të kompetencave të disa inspektorateve që ekzistojnë në Republikën e Kosovës. Unë kam bërë një nismë në koordinim edhe me ministrin dhe me zëvendësministrin, që Inspektorati Qendror i Punës të ketë një bashkëpunim, koordinim më të thellë me disa inspektorate komunale. Sepse nuk mund të ofrohet, po flas konkretisht, një leje për një ndërtim ku aty mund të krijohet një kaos dhe më pas pasojat i bart Inspektorati Qendror i Punës. E për pasojë kemi humbjen potenciale të jetës së qytetarëve tanë, sepse kjo është një nga ato gjëra që ne këtu do t’i trajtojmë”, tha ai.
Ndërsa, Rrustem Thaqi, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, tha se për këtë institucion ofrimi i mbrojtjes gjyqësore efektive dhe vendimmarrja brenda një afati të arsyeshëm nuk janë vetëm objektiva administrativë.
“Raporti trajton një gamë të gjerë të çështjeve dhe mbulon sfidat në zbatimin e legjislacionit dhe funksionimin e institucioneve të drejtësisë. Brenda kësaj analize, një pjesë i referohet edhe rolit të sistemit gjyqësor në shqyrtimin e kontesteve të punës, që është e ndërlidhur drejtpërdrejt me përgjegjësitë e Këshillit Gjyqësor të Kosovës në administrimin e gjykatave të vendit. Për Këshillin, ofrimi i mbrojtjes gjyqësore efektive dhe vendimmarrja brenda një afati të arsyeshëm nuk janë vetëm objektiva administrativë. Ndërkohë, ato përmbajnë garanci themelore të së drejtës për një proces të rregullt gjyqësor, të garantuara me nenin 6 të Konventës për të Drejtat e Njeriut dhe nenin 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Njëkohësisht, ato janë ndër faktorët më të rëndësishëm për rritjen e besueshmërisë së qytetarëve në sistemin gjyqësor. Në këtë drejtim, kontestet e punës zënë një vend të veçantë për shkak të ndikimit të drejtpërdrejtë që kanë në jetën dhe sigurinë ekonomike të qytetarëve. Legjislacioni në fuqi trajton ato si lëndë me prioritet, ndërsa Këshilli Gjyqësor i Kosovës i ka kushtuar vëmendje të vazhdueshme krijimit të kushteve që ky prioritet të reflektohet edhe në praktikën gjyqësore. Duhet theksuar se në kontekstin e reformave të fundit në sistemin gjyqësor, themelimi i Gjykatës Administrative ka krijuar një mekanizëm të specializuar për shqyrtimin e kontesteve që hyjnë në kompetencë të saj, përfshirë edhe kontestet nga marrëdhëniet e punës në mes të personave fizikë dhe organizatave. Në zbatim të mandatit të tij kushtetues dhe ligjor, Këshilli Gjyqësor ka ndërmarrë veprimet e nevojshme organizative dhe institucionale për funksionalizimin e kësaj gjykate, që brenda afateve të përcaktuara ligjore, duke siguruar dhe kushtet e nevojshme për shqyrtimin e kompetencave të saj”, tha ai.

