Ali Ahmeti: Vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së është i padrejtë dhe zhgënjyes

Prishtinë | 16 Sht 2026 | 13:40 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Përmes një reagimi në Facebook, Ahmeti ka bërë thirrje për maturi dhe unitet.

“Nuk duhet të biem në asnjë grackë që synon të krijojë tensione, përçarje apo të njollosë luftën çlirimtare të popullit në Kosovë”, ka shkruar Ahmeti.

Ai ka deklaruar se pretendimet e dikurshme për trafikim organesh, të cilat sipas tij rënduan për vite mbi UÇK-në dhe drejtuesit e saj, nuk u shndërruan në akuza në këtë proces.

Ahmeti ka theksuar gjithashtu se, sipas tij, Gjykata ka shpallur të pafajshëm të akuzuarit për krime kundër njerëzimit dhe ka potencuar se UÇK-ja kishte pasur si objektiv pavarësinë e Kosovës.

“Procesi nuk përfundon këtu. Besojmë se mbrojtja do ta vazhdojë betejën juridike në Gjykatën e Apelit, duke kundërshtuar gjetjet e shkallës së parë dhe duke kërkuar drejtësi deri në fund”, ka shkruar ai.

Në fund, Ahmeti ka deklaruar se “lufta e UÇK-së ishte luftë për liri” dhe se historia e Kosovës, sipas tij, nuk mund të rishkruhet.

“Me besim në drejtësi, beteja vazhdon në apel!”, ka përfunduar Ahmeti.

Të ngjashme