Shoqata e Qumështoreve kërkon hetim për produktet me vaj palme: Shëndeti i konsumatorëve nuk mund të jetë çmimi i fitimit

Prishtinë | 20 Tet 2026 | 17:26 | Nga Ekonomia Online

Shoqata e Qumështoreve të Kosovës ka kërkuar nga institucionet kompetente që të hetojnë lidhjen e mundshme ndërmjet konsumit të produkteve me vaj palme dhe rritjes së rasteve të kancerit, sëmundjeve kardiovaskulare dhe diabetit.

Në një postim, kjo shoqatë ka theksuar se pretendimet për rreziqet e mundshme shëndetësore nga këto produkte duhet të shqyrtohen në mënyrë serioze, të pavarur dhe shkencore.

“Të dhënat zyrtare tregojnë për një rritje të vazhdueshme të rasteve të kancerit, sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit dhe çrregullimeve të yndyrave në gjak. Lidhja e mundshme ndërmjet konsumit të produkteve me vaj palme dhe këtyre sëmundjeve duhet të gjurmohet dhe të hetohet në mënyrë serioze, të pavarur dhe shkencore”, thuhet në reagimin e shoqatës.

Shoqata pretendon se për më shumë se 15 vjet ka pasur konsum masiv të produkteve që, sipas saj, janë prodhuar me yndyrë palme dhe nuk duhet të kalojnë pa u hetuar.

“Mbi 15 vjet konsum masiv i produkteve të pakontrolluara, të prodhuara me yndyrë palme, nuk duhet të kalojnë pa hetim, pa përgjegjësi dhe pa masa ligjore, nëse konstatohen shkelje”, thuhet në postim.

Po ashtu, Shoqata e Qumështoreve ka ngritur shqetësime për praninë e këtyre produkteve në treg, duke pretenduar se një pjesë e shpërndarjes së tyre mund të bëhet në mënyrë të paligjshme.

Sipas shoqatës, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) nuk po vepron për ndalimin e plotë të tyre, ndërsa vendimi i MB-së, të cilit i referohet në reagim, po zbatohet vetëm pjesërisht.

“Produktet me vaj palme vazhdojnë të jenë të pranishme në treg, ndërsa dyshohet se shpërndarja e tyre, në një pjesë të rasteve, po bëhet në mënyrë klandestine, në të zezë. AUV-i nuk po vepron për ndalimin e plotë të tyre, ndërsa vendimi i MB-së po zbatohet vetëm pjesërisht”, thuhet në reagim.

Shoqata ka kërkuar që të hetohen arsyet e moszbatimit të vendimit, duke përmendur si mundësi korrupsionin, shantazhin ose frikën nga zbatimi i tij.

“Ekzistojnë tri mundësi themelore që duhet të hetohen: korrupsioni, shantazhi dhe frika nga zbatimi i vendimit. Prandaj, krahas operatorëve që prodhojnë dhe tregtojnë këto produkte, duhet të hetohet dhe të gjurmohet edhe veprimtaria e AUV-it”, thuhet në postim.

Në reagim, shoqata ka ngritur edhe çështjen e transparencës së përbërjes së produkteve dhe përgjegjësisë së prodhuesve ndaj konsumatorëve, veçanërisht fëmijëve.

Ajo ka pyetur nëse familjarët e prodhuesve i konsumojnë produktet që ata prodhojnë dhe nëse përfitimi material është arsyeja e vetme për vazhdimin e kësaj veprimtarie.

“Pse vazhdon prodhimi i produkteve të tilla dhe pse, në raste të caktuara, tentohet të fshihet përbërja e tyre? A ekziston te këta prodhues përgjegjësia morale dhe njerëzore ndaj konsumatorëve?”, thuhet në reagim.

Shoqata ka kërkuar gjithashtu që produktet me vaj palme të mos paraqiten në statistikat zyrtare si prodhime vendore të qumështit, pasi, sipas saj, kjo mund të shtrembërojë të dhënat për prodhimin vendor dhe importin.

“Produktet me vaj palme nuk duhet të paraqiten si produkte vendore të qumështit në mënyrë që të krijojnë një pasqyrë të rreme për prodhimin e vërtetë të industrisë së qumështit në Kosovë. Ato nuk duhet të përfshihen në statistikat e Ministrisë së Bujqësisë si prodhime vendore të qumështit, sepse nuk janë prodhime nga qumështi”, thuhet në postim.

Sipas shoqatës, edhe produktet e importuara që përmbajnë vaj palme duhet të evidentohen në mënyrë të veçantë, në mënyrë që të pasqyrohet ndikimi i tyre në treg dhe në industrinë vendore të qumështit.

Shoqata e Qumështoreve të Kosovës u ka bërë thirrje institucioneve kompetente që të sqarojnë dyshimet e ngritura, të sigurojnë mbrojtjen e konsumatorëve dhe të marrin masa në rast se konstatohen shkelje ligjore.

“Shëndeti i konsumatorëve nuk mund të jetë çmimi i fitimit të askujt! E vërteta duhet të zbardhet, konsumatorët duhet të mbrohen dhe çdo shkelje e vërtetuar duhet të ndëshkohet sipas ligjit”, thotëreagimi i shoqatës.

Të ngjashme