Kurti: Bashkëpunimi me sektorin privat, domosdoshmëri ekonomike e shtetërore

Prishtinë | 20 Nën 2026 | 16:23 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë me dije se sot u mbajt takimi i rregullt i Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime.

Sipas Kurtit, temat që sot u diskutuan ishin sfidat dhe mundësitë për fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike dhe sektorit privat, transmeton IndeksOnline.

“Zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm kërkon një ndarje të qartë të përgjegjësive, por edhe një bashkëveprim të vazhdueshëm ndërmjet nesh. Institucionet e Republikës e kanë për detyrë të krijojnë mjedisin e sigurt, sundimin e ligjit dhe kushtet e barabarta për zhvillim, ndërkaq bizneset janë ato që investojnë, marrin mbi supe rrezikun sipërmarrës, prodhojnë, eksportojnë dhe krijojnë vende të reja të punës. Rrjedhimisht, bashkëpunimi ynë nuk është thjesht dëshirë, por domosdoshmëri ekonomike e shtetërore” shkroi Kurti.

Ky është postimi i plotë i tij:

Këtë pasdite, në takimin e rregullt të Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, në shërbim të qëllimit për fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike dhe sektorit privat, diskutuam në mënyrë të strukturuar për mundësitë dhe sfidat konkrete.

Zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm kërkon një ndarje të qartë të përgjegjësive, por edhe një bashkëveprim të vazhdueshëm ndërmjet nesh. Institucionet e Republikës e kanë për detyrë të krijojnë mjedisin e sigurt, sundimin e ligjit dhe kushtet e barabarta për zhvillim, ndërkaq bizneset janë ato që investojnë, marrin mbi supe rrezikun sipërmarrës, prodhojnë, eksportojnë dhe krijojnë vende të reja të punës. Rrjedhimisht, bashkëpunimi ynë nuk është thjesht dëshirë, por domosdoshmëri ekonomike e shtetërore.

Ekonomia e Kosovës ka vazhduar të tregojë stabilitet të lartë dhe potencial për rritje, edhe përballë sfidave të brendshme me konsolidimin e institucioneve në njërën anë, dhe të pasigurive e tronditjeve globale në anën tjetër. Eksportet tona të mallrave dhe shërbimeve kanë tejkaluar shifrën prej pesë miliardë eurosh, remitencat nga mërgata jonë kanë arritur nivelin rekord prej rreth 1.4 miliard euro, ndërkaq rritja ekonomike në gjysmën e parë të këtij viti ishte 4.7 për qind të Bruto Produktit Vendor. Këta tregues janë dëshmi e vitalitetit të sektorit privat, e besimit në investime dhe e lidhjes së ngushtë që ekonomia jonë ka me mërgatën, por edhe me tregjet ndërkombëtare.

Të ngjashme