Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike, shkruan Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë është zbuluar edhe mbrëmë pas mesnate në rrugën “Ymer Pula” në Gjakovë, ku Policia ka ndaluar një veturë, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se te shoferi i dyshuar, i cili fillimisht tentoi të ikë, pas kontrollit, zyrtarët policorë ia kanë gjetur një sasi të substancës narkotike, të llojit marihuanë.
Pas përfundimit të kontrollit policor, qeset me marihuanë janë sekuestruar, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me veprën me të cilën ngarkohen.
Pas përfundimit të proceduarve policore, Prokurori ka urdhëruar ndalimin e tij dhe inicimin e rastit ndaj tij për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji ilëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.