Interi ka arritur të gjejë një tjetër futbollistë anësor dhe bëhet fjalë për nigerianin Victor Moses, i cili është stërvitur nga Antonio Conte te Chelsea.
Futbollisti 29-vjeçar ka mbërritur mbrëmjen e djeshme në Milano dhe sot pritet të kryejë vizitat mjekësore, para se të firmosë një kontratë 6-mujore me Interin, si huazim nga Chelsea.
Victor Moses ishte në huazim te Fenerbahce, por pas marrëveshjes mes Chelseat dhe Interit, ka lënë Stambollin për t’iu bashkuar Contes.
Ndërkohë vijon ende puna për mesfushorin Christian Eriksen, teksa vetë Drejtori Sportiv zikaltër, Piero Ausilio deklaroi dje në një intervistë për mediat italiane se Interi ka bërë edhe ofertën e parë zyrtare për të marrë danezin nga Tottenham.
“Po flasim për një mesfushor të një niveli mjaft të lartë, që ndiqet nga shumë klube të ndryshme evropiane, megjithatë ne kemi bërë ofertën tonë zyrtare te Tottenham dhe presim përgjigjen prej tyre”, deklaroi Ausilio, transmeton Telegrafi.
Mediat në Itali pretendojnë se Interi ka ofruar 18 milionë euro për kartonin e danezit.
Ndërkohë zikaltrit kanë arritur edhe një akord paraprak edhe me sulmuesin francez të Chelseat, Olivier Giroud.