QKUK-ja hynë në grevë, nga janari paralajmërojnë masa radikale

Prishtinë | 17 Dhj 2018 | 12:40 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Që nga ora shtatë e mëngjesit, punëtorët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovë kanë filluar grevën 24 orëshe.

Ata po kërkojnë ngritjen e pagave për mjekët dhe punëtorët teknikë, përmirësimin e kushteve si dhe implementimin e plotë të Kontratës Kolektive Sektoriale.

Kjo grevë është quajtur si masë e parë për t’i lënë hapësirë reflektimit të institucioneve shtetërore ndërsa janë paralajmëruar masa radikale në janar nëse kërkesa për rritje të pagave nuk plotësohet, raporton Ekonomia Online.

Nënkryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë, Xhamail Selmani, tha se zvarritja e këtij procesi ka lënë të kuptohet se janë bërë shantazhe dhe provokime nga instanca shtetërore.

“Ka një vit që ne negociojmë me instanca të ndryshme të qeverisë për ligjin mbi pagat dhe zvarritja e këtij ligji, mos miratimi i tij deri në këtë ditë nga kuvendi na ka lënë të kuptojmë që gjithë mundi jonë dhe dialogimi ka qenë vetëm zvarritje, sa i përket ngritjes së mirëqenies sociale të punonjësve shëndetësor”, ka thënë Selmani.

“Ne realisht ka një vit që dialogojmë duke filluar nga kryeministri, kryeparlamentari, ministri i shëndetësisë, strukturat e parlamentit, pothuajse shumicën e deputetëve, komisionet parlamentare, grupet e partive, kryetarët e grupeve parlamentare,  i kemi taku pothuajse të gjithë përfaqësuesit politik dhe në fund ky është një zhgënjim i madh sepse nuk po shihet askund implementimi i tij”, tha ai.

Ai tha se ka pasur edhe javën e kaluar diskutime, por qeveritarët po e zvarrisin procesin.

“E kemi pa që në terren kemi kapak provokime dhe shantazhe nga instanca të ndryshme të shtyrë nga qeveria. Gjithë kanë ra në heshtje, kurrfarë reagimi nuk kemi marrë nga ata. Megjithatë po presim dhe nëse nuk reflektojnë, më datë 20 të këtij muaji, të enjten e kemi këshillin drejtues të sindikatave i cili do të merr vendime të rëndësishme lidhur me këtë çështje. Nuk guxoj të paragjykoj, por sigurisht që pakënaqësia do të shfaqet në nivel të Republikës në të gjitha institucionet shëndetësore”, ka thënë Selmani.

Ai tha se nëse nuk ka reflektime nga Qeveria atëherë janari do të jetë muaji kur do të hyjnë në greva radikale.

“Meqë jemi në prag të festave, nuk besoj se do të shkojmë në greva radikale, por nëse nuk reflektojnë qeveritarët tanë, janari veç do të jemi të detyruar të futemi në masa radikale. Ashtu kemi kërkesa nga stafi që të mos dalim nga greva qysh nda dita e sotme që kemi filluar”, tha ai.

Habib Morina, familjar i një nga pacienteve në Klinikën e Ortopedisë, ka thënë se e ëma e tij, nuk është trajtuar sot si paciente edhe pse në gjendje të rëndë.

“Nuk është për operim sot, arsyetimi kanë thënë se sot nuk operojmë jemi në grevë, nuk është rast urgjent, le të rrijë deri të mërkurën ose të enjten. Stafi mjekësor sot ka qenë në punë si gjithë, përditë në kontroll e kanë vizitu nënën, por jo në mënyrë adekuate, jo si pacient i sëmurë. Nëna ime ka nevojë urgjente me u operu, por kanë thënë se nuk bëhet deri sa vjen rendi. Nuk e kuptoj çfarë spitali është ky, as spital nuk është”, ka thënë Morina.

Të ngjashme