Taravari: I shokuar që Osmani ka keqpërdorur pozicionin për t’ia bërë argatin Serbisë

Prishtinë | 07 Pri 2024 | 18:21 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për president të Maqedonisë së Veriut nga partitë shqiptare opozitare, Arben Taravari, ka reaguar pas statusit të zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu për planin 9-pikësh të OSBE-së për Kosovën.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se Qeveria e Kosovës paska zbuluar se në fakt ky plan është shkruar nga vetë dora e Bujar Osmanit e jo nga ndërkombëtarët.

Taravari ka thënë se është “i shokuar të kuptojë nëse Osmani, si kryesues shqiptar i OSBE-së, ka keqpërdorur pozicionin e tij për t’i bërë argatin Serbisë duke bërë te vetat kërkesat e Beogradit”.

Ai ka thënë se Plani 9 pikësh i Bujar Osmanit ka kërkuar tërheqjen e policisë speciale të Kosovës, nga territori legjitim i Kosovës, e sipas tij, ai ka kërkuar po ashtu dorëheqjen e kryetarëve shqiptarë të komunave veriore.

“Dokumenti i Bujar Osmanit ka kërkuar që të mos qëndrojnë në veri ata heronjë që na bënë krenarë të gjithëve në rastin e sulmit të Vuçiçit në Banjskës, ku u vra nga terroristët serbë polici dëshmor Afrim Bunjaku.  Fatmirësisht mendoj, qeveria e Kosovës nuk e ka pranuar planin e Bujar Osmanit, sepse po të ishte pranuar ai plan, bandat e Vuçiqit nuk do të kishin gjetur rezistencë.  Na vjen të gjithëve vështirë, kur një politikan shqiptar nga Maqedonia e Veriut, siç është Bujar Osmani, mban qëndrime të tilla antikombëtare në rastin e Kosovës”, ka shkruar ai.

Të ngjashme