Ukaj: Palët do të pranojnë kërkesat e ndërkombëtarëve, në veri do të kemi zgjedhje të reja

Prishtinë | 06 Qer 2023 | 18:28 | Nga Ekonomia Online

Njohësi i çështjeve politike, Fidan Ukaj thotë se së shpejti Kosova dhe Serbia do t’i pranojnë edhe zyrtarisht kërkesat e faktorit ndërkombëtar për de-përshkallëzimin e situatës në veri.

Ai tha se këto tri kushte kanë ardhur nga takimi i Osmanit e Vuçiqit me iniciativën e kancelarit gjerman dhe presidentin francez.

“Zoti Kurti i ka pranu qysh më herët kërkesat sidomos atë për procesin zgjedhor. Ne i kemi dëgju nëse i kemi lexu mes rreshtave deklarimet e tij që mund të ketë zgjedhje në atë pjesë të vendit, por unë mendoj që këto tri kushte kanë buru nga takimi që zonja Osmani e kishte me presidentin Vuçiq, me dakordimin e zotit Scholz dhe Macron. Dhe nuk kanë një zgjidhje tjetër, porse ne do të marrim një lajm që të dyja palët kanë rënë dakord për kërkesat e ndërkombëtarëve për zbatimin në terren”, ka thënë Ukaj.

Ukaj tutje thotë se Vuçiqi do të nxitet që t’i bëjë presion Listës Serbe të merr pjesë në zgjedhje.

“Besoj që do të jenë të qartë edhe te Vuçiqi dhe do ta nxisin atë që t’i bëjnë presion Listës Serbe dhe komunitetit serb që të marrin pjesë në procesin zgjedhor dhe unë besoj që do të kemi proces zgjedhor në katër komunat veriore”, ka thënë Ukaj në Ditari në Tëvë 1.

Të ngjashme