Votohen Projektligjet për ushtrinë, Lista Serbe kundër

Prishtinë | 03 Tet 2018 | 10:18 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcën e Sigurisë Kosovës (FSK) ka votuar Projektligjet për transformimin e FSK-së në ushtri: Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes; Projektligjin për FSK-në dhe Projektligjin për Shërbimin në FSK.

Të gjitha partitë parlamentare kanë votuar pro këtyre projektligjeve, me përjashtim të Listës Serbë e cila votoi kundër. Projektligjet u miratuan një nga një.

Kryetari i komisionit, Haxhi Shala, ka propozuar të tri Projektligjet të votohen në pako, raporton Ekonomia Online.

“Që te tri ligjet t’i votojmë në pakon në parim dhe ti dërgojmë ne seancën plenare”.

Ismet Beqiri nga LDK vlerësoi se këto projektligje janë të rëndësisë së veçantë për Kosovën dhe se partie e tij do te votojë pro tyre.

“Vota ime është pro që te procedohen. Dëshira dhe nevoja jonë që të miratohen është e padiskutueshme. Shpresoj shumë që këto do ti shkojnë kuvendit dhe ne do ti votojmë pa asnjë dilemë. Shpresojmë që më në fund do të fillojë faza e transformimit të FSK-së në ushtri”.

Fatmir Xhelili nga PDK tha se askush nuk ka pse të frikësohet nga formimi i ushtrisë.

“Transformim është proces qe do të zgjasë për periudhe 10 vjeçare dhe qe ka me marrë përkrahjen e të gjithë qytetarëve. S’ka nevojë për asnjë frikë ndoshta edhe për interesim kaq të madh. Trajnimet në vazhdim përgatitja për fazën e ardhshme do të jetë në bashkëpunim me segmentet ndërkombëtare.

“Jemi ne situatë të qetë, s’ka kërcënime dhe rrezikshmëri për Kosovën. S’kemi pretendime ndaj askujt. Projektligjet nuk janë në dëm të askujt por në mbrojtje të integritetit dhe qytetarëve të Kosovës. Qytetarët serbë e kane pa FSK si forcë serioze që u ka dalë në ndihmë në situata emergjente. Presionet e politikës ditore kanë bërë që disa serbe të tërhiqen nga FSK-ja”.

Rexhep Selimi nga LVV-ja ka thënë se mbështesin këtë pako, por ka shtuar se kanë pasur pritje më të mëdha për nga këto projektligje.

“Edhe njëherë konfirmojmë votën për këto projektligje te pritura. Grupi ynë parlamentar ka mbështetje në përgjithësi çdo ndryshim që avancon FSK-në në forcë të armatosur. Pritjet tona kanë qenë më të mëdha se në fakt që janë këto projektligje. Është proklamuar se janë ligje që bëjnë ushtrinë por nëse gjatë dy leximeve nuk punojmë, nuk e kemi arritur qëllimin”.

Zoran Mojsiloviq nga Lista Serbe i cili votoi kundër, tha se serbët e Kosovës pranojnë vetëm KFOR-in.

“Që te tri ligjet dhe ndryshimet e tyre, kompetencat që do t’i kishte vetëm ka mbetur emri forca të sigurisë çdo gjë ka ndryshuar. Jam i befasuar pse e dija që janë në kundërshtim me sugjerimet që keni marrë nga NATO”.

“Për serbët vetëm KFOR-i është i pranueshëm, për këtë lista serbë nuk do të përkrahë këto ligje sepse është fjala për transformim në ushtri të Kosovës”.

Aida Dërguti, nga PSD-ja tha se i vjen mirë që këto projektligje po diskutohen, duke thënë që gjatë seancës plenare do të japin kontributin e tyre.

Deputeti i AAK-së Daut Haradinaj ka thënë se qytetarë sot mund te gëzohen për këto projektligje, raporton EO.

“Është mirë që jemi unik të gjithë dhe nuk është tepër të themi që do të jemi eksport te paqes. Çdo qytetar i Kosovës sot ka të drejt të gëzohet”.

Të ngjashme