Një 18-vjeçar është ndaluar nga Policia e Kosovës në Ferizaj, pasi gjatë kontrollit i është gjetur një pistoletë me një fishek, si dhe një sasi e dyshuar e substancës narkotike të llojit marihuanë.
Në njoftimin e policisë thuhet se I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor për intervistim.
“Me datën 19.10.2025 rreth orës 19:15 policët e stacionit të Ferizajt, gjatë zbatimit të planit operativ “Parandalimi i veprave penale të narkotikëve”, në rrugën “Ramadan Rexhepi” në Ferizaj, kanë ndaluar një motoçikletë me targa vendore. Gjatë kontrollit dhe legjitimimit të personit G.A (18 vjeç), policët kanë gjetur një armë zjarri ( pistoletë), me një fishek në fole, si dhe një sasi të dyshuar të substancës narkotike të llojit marihuanë, me peshë 5.13 gramë”.
“Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” dhe “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” dhe pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt hetimore”, thuhet në njoftim.