Agim Aliu: Shkollat e Ferizajt do bëhen me ditarë digjitalë

Prishtinë | 27 Shk 2021 | 18:09 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka njoftuar se shkollat e kësaj komune do bëhen me ditarë digjitalë.

Aliu ka shkruar se në këta ditarë do kenë qasje të pakufizuar prindërit, nxënësit, mësimdhënësit dhe drejtuesit e shkollave.

“Notat, mungesat, vlerësimet, oraret e mësimit e mësimi online, do të lundrojnë tashmë të digjitalizuara për gjithë nxënësit ferizajas, transparente tërësishme e të qasshme kudo, me vetëm një lidhje interneti. Ta gëzojnë nxënësit, mësimdhënësit, prindërit e drejtuesit e shkollave dhe arsimit ferizajas”, thuhet në njoftimin e tij.

Ai shtoi se arsimin në Ferizaj edhe pak javë e ndajnë nga ndryshimi më i nevojshëm.

“Arsimin ferizajas edhe pak javë e ndajnë nga ndryshimi më i nevojshëm i përshtatur me ritmin e kohës, e para e këtij lloji dhe përmase në gjithë Republikën, qasja në menaxhimin e procesit mësimor, jo më përmes ditarit shkollor klasik, por ditarit shkollor digjital, në të cilën do të kenë qasje kudo në kohë reale e tërësisht të digjitalizuar, mijëra nxënës e prindër, qindra mësimdhënës e drejtues shkollash”, ka shkruar Aliu në Facebook.

Të ngjashme