Ambasada e Çekisë ndihmon shkollën e të verbërve në Pejë

Prishtinë | 09 Mar 2021 | 18:34 | Nga Ekonomia Online

Qendra Burimore për Mësim dhe Këshillim “Xheladin Deda” në Pejë, bashkë me Shoqatën e të Verbërve të Kosovës, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Ambasadën e Republikës Çeke në Kosovë për fillimin e një projekti të ri që ka për qwllim të ndihmojë këtë qendër dhe nxënësit e saj me pajisje të teknologjisë informative që do përmirësojnë shërbimet dhe do ofrojnë mundësi më të mira për nxënësit e verbër.

Me marrëveshjen e sotme parashihet që gjatë këtij viti shkollor do arrijnë pajisje shtesë për punë të personave të verbër, si printerë braille, makina shkrimi dhe pajisje tjera specifike për nevojat e nxënësve të kësaj shkolle të vetme në Kosovë për persona të verbër dhe me të parë të dobësuar.

Zv.shefi i Ambasadës Çeke në Kosovë, Juraj Melioris gjatë vizitës së kësaj shkolle u njoftua edhe me punën që bëhet në këtë institucion, duke parë edhe efektet e mbështetjes çeke për këtë shkollë që nga viti 2008.

“Në vazhdimësi nga ambasada dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme ka një ndjeshmëri mbi nevojën për të ndihmuar këta fëmijë në shkolla, duke ndërlidhur këta aktorë që ofrojnë shërbimet për personat e verbër. Prandaj kjo mbështetje do të vazhdojë edhe më tej, pasi jemi në pritje të projekteve tjera të bashkëpunimit, që shpresojmë të implementohen në Kosovë”, tha diplomati çek.

Xhavit Kastrati, drejtor i kësaj shkolle, ka treguar se janë disa shërbime, si muzika për të verbrit, orientimi e mobiliteti dhe puna me fëmijë me dëmtime të shumëfishta, në të cilat stafi është përgatitur nga ekspertët nga kryeqyteti i Çekisë, Praga, që kanë sjellë edhe përvojën e tyre dhe pajisjet e duhura në këtë shërbim.

Ndërsa sipas Daut Tishukit, kryetar i Shoqatës të të Verbërve të Kosovës, pajisjet do kompletohen deri në fundin e muajit maj, kurse gjatë prillit ekspertët e Qendrës Burimore do mbajnë trajnime me mësuesit nga rajone të ndryshme të Kosovës si të përdorin teknologjinë informative shumë të nevojshme për personat e verbër.

Përmes projekteve të ndryshme, komuniteti i personave të verbër në Kosovë në më se dhjetë vjet ka përfituar nga mbështetja çeke për Kosovën, si në pajisje pune ashtu edhe në trajnime dhe ngritje të kapaciteteve.

Image

©

Të ngjashme