Bajrami në botën myslimane, diku në luks marramendës e diku në varfëri të plotë

Prishtinë | 11 Gus 2019 | 19:27 | Nga Ekonomia Online

Besimtarët e fesë myslimane në gjithë botën, kanë shënuar ditën e parë të Kurban Bajramit, një prej ditëve më të gëzueshme në traditën islame. Bajrami zgjat tri ditë dhe është një prej festave më të rëndësishme të fesë myslimane.

Ky Bajram ishte i veçantë për shkak të haxhit, me ç’rast përfundoi pelegrinazhi vjetor në Mekë, vendin më të shenjtë islam.

Vlerësohet se Mekën këtë vit e kanë vizituar miliona besimtarë. Por, për dallim nga luksi që ofron Arabia Saudite, palestinezët u përleshën me policinë izraelite te xhamia Al Aqsa. Së paku 15 palestinezë kanë përfunduar në spital shkaku i përleshjeve, pasi u pritën me dhunë nga izraelitët.

Mijëra palestinezë ishin mbledhur për t’u lutur në Al Aqsa, e përleshja filloi pas vendimit të izraelitëve që të lejojnë vizitorë të huaj në këtë kohë në xhami.

Xhamia Al Aqsa vazhdon të jetë zona më e ndjeshme e konfliktit izraelito-palestinez, e përleshje ka pothuajse çdo të premte.

Në Sirinë e përfshirë nga lufta, presidenti i vendit, i cili gjithnjë e më pak paraqitet në publik, ishte i pranishëm në njërën prej xhamive të Damaskut, transmeton KTV. Ai u lut në xhaminë Al Afram në lagjen Muhaxhirin, ndryshe zonë tashmë e kontrolluar nga Qeveria siriane.

Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, që monitoron luftën tashmë 8-vjeçare, Qeveria siriane vetëm kohëve të fundit ka përparuar dukshëm në luftën kundër kryengritësve.

E, në Jemen, me më pak të shtëna por shumë më shumë uri, banorët megjithatë blenë minimalisht gjëra që mund të ofronin për festën e Kurban Bajramit. Derisa konflikti brutal ka përkeqësuar krizën humanitare, Programi Botëror i Ushqimit njoftoi se do ta rifillojë aksionin e shpërndarjes së ushqimit, ku miliona njerëz janë në rrezik nga vdekja.

Dhjetëra-mijëra njerëz janë larguar nga kryeqyteti i Bangladeshit, Dhaka, për të arritur në shtëpi për festën e Bajramit. Shumë prej tyre patën telashe të gjejnë pak hapësirë në trena e tragete, për ta realizuar udhëtimin e tyre.

Në Evropë, ku ndjenja antimyslimane është në rritje, festa e Kurban Bajramit nuk kaloi pa incidente. Një person është lënduar gjatë një sulmi të armatosur në një xhami në Oslo, ka njoftuar policia derisa shtoi se njerëzit e pranishëm në xhami ia dolën të ndalnin të shtënat.

Një burrë i moshuar ka pësuar plagë, njoftoi policia, por tha se është ende herët të konstatohet nëse plagët u shkaktuan nga të shtënat apo kacafytja me sulmuesin. Policia njoftoi se sulmuesi ishte në të 20-at dhe se veproi vetëm.

Por festë kishte në Londër, në sheshin Trafalgar, ku kremtes i priu prefekti Sadiq Khan. Aty nga tha se do të heqë qafe çdo formë të racizmit dhe antisemitizmit nga Partia Laburiste të cilës i takon.

Vlerësohet se më shumë se 1 miliard njerëz në botë kremtojnë Kurban Bajramin.

Të ngjashme