Banorët e Vitomiricës së Pejës, të rrezikuar nga shtyllat e vjetruara të rrymës

Prishtinë | 29 Sht 2020 | 19:36 | Nga Ekonomia Online

Ka disa vjet që banorëve të cilët jetojnë përgjatë rrugës bujqësore në fshatin Vitomiricë të Pejës rreziku për jetë nga kabllot e shtyllave të vjetruar të të dy tensioneve u rri mbi kokë.

Sa herë që fryn era, rrëzohet herë njëra e herë shtylla tjetër e këtij rrjeti të vjetruar. Në muajin shkurt era kishte rrëzuar disa shtylla dhe që atëherë KEDS-i nuk ka shkuar t’i vendosë shtyllat e reja në gropat që i kishte hapur buzë shtyllave të dëmtuara.

“Me bager i kanë qelë para gjashtë shtatë muajve i kanë qelë gropat për me i vendos shtyllat e betonit. As s’janë ardh me i qit shtyllat e betonit e as të drurit. As me i përforcua as kurgjo”, ka thënë banori Skënder Murselaj.

Meqenëse KEDS-i nuk u duk më në këtë anë, vetë banorët, siç thotë Murselaj, i kanë futur disa prej shtyllave të dëmtuara në ato gropa.

Në këtë vendbanim nuk sheh një shtyllë të vetme druri që qëndron drejt. Shumica e shtyllave mbahen ende në këmbë nga kabllot e veta, madje edhe ato të tensionit të lartë.

Ka shtylla në këtë fshat në të cilat janë të lidhura kabllot e të dyja tensioneve dhe shtylla të të dy tensioneve që janë ngjitur njëra me tjetrën. Një çift të tillë shtyllash gati të rrëzuara e ka buzë shtëpisë Sabit Pallamari.

“Është shumë e rrezikshme. Për pak që nuk kam vdekur një ditë kur e kam ngritur një dru që ta qes anën tjetër se kisha harruar që ka rrymë lartë. Është shumë rrezik se është afër shtëpisë dhe kjo shtyllë mos dhashtë zoti me ra poshtë se kishte qenë rrezik për shtëpi e për neve dhe për të tjerët këtu”, ka pohuar Sabit Pallamari, banor i Vitomiricës.

Pallamari tregon se në muajin shkurt, për shkak të erës, kulmi i shtëpisë së vëllait të tij kishte marrë zjarr.

Për shqetësimet dhe ankesat e këtyre banorëve, KOHA ka pyetur KEDS-in, i cili në përgjigjen e dërguar pohoi se nuk ka informatë të saktë për lokacionin në fjalë dhe se do të dërgojë ekipe për ta verifikuar dhe sanuar gjendjen, posa ta kenë më shumë të dhëna.

Të ngjashme