Bashkpartiakët akuzojnë Sfarqën se ka uzurpuar LDK-në në Ferizaj

Prishtinë | 05 Kor 2019 | 16:56 | Nga Ekonomia Online

Një pjesë e kryesisë së degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Ferizaj ka adresuar kritika ndaj kryetarit të degës, Muharrem Sfarqa, për të cilin thanë se ka dy muaj që nuk po thirr mbledhje të Kryesisë dhe se po mban Kuvende ilegale dhe po e injoron Kryesinë.

Nënkryetari i degës së LDK-së në Ferizaj, Faruk Guri tha se e ka kontaktuar Sfarqen disa herë me kërkesë për mbledhje për t’u informuar për procesin zgjedhor, por i njëjti i ka injoruar.

Ai tha se Sfarqa e ka uzurpuar LDK-në e Ferizajt.

“Zoti Muharrem Sfarqa, LDK-në e ka uzurpuar dhe procesin zgjedhor të LDK-së e ka uzurpuar. Asnjë informacion nuk kemi që dy muaj, që është shpall procesi zgjedhor”, tha ai, përcjell televizioni publik.

E Sahit Krasniqi tha se procesi nëpër të cilin po kalon dega e LDK-së po e dëmton këtë subjekt dhe nuk po mund ta kontrollojnë.

Sipas tyre, Muharrem Sfarqa dhe Adem Salihaj po i krijojnë problemet dhe tensione në parti dhe jo persona nga parti të tjera.

Ata thanë se këtë të dy nuk po lejojnë të mbahet një kuvend i rregullt.

Në një konferencë për media ata deklaruan se Kryesia e degës është jashtë kontaktit me te gjitha proceset për zgjedhje.

Sipas tyre, janë duke u mbajt kuvende të fshehta dhe nuk njoftohen kryesitë e degëve.

Në këtë konferencë u tha se kanë ardhur në seli për t’u takuar me Svarqen, por meqë ai nuk i ka pritur, atëherë janë detyruar të thërrasin konferencë për media.

Të ngjashme