Die Zeit: Shkrimet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, s’mund të shfaqen pa vullnetin e Vuçiqit

Prishtinë | 24 Dhj 2023 | 09:57 | Nga Ekonomia Online

“Prej disa javësh, në shumë qytete, përfshirë edhe në zemër të Beogradit, në mure ka mbishkrimin 40 metra të gjatë me rreshtin: ‘Kur ushtria të kthehet në Kosovë’. Vjen nga një këngë popullore që shpesh këndohej nga Mitropoliti i Kishës Ortodokse Serbe, jo tamam një njeri i moderuar. Pak kohë pasi u shfaqën këto mbishkrime të mëdha, ushtria serbe grumbulloi në mënyrë kërcënuese trupat në kufirin me Kosovën. Aktivistët që pikturuan mbi germat në Beograd u akuzuan për dëmtim të pronës”.

Kështu e ka filluar “Die Zeit” – gazeta javore gjermane me qendër në Hamburg – artikullin e saj për Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të cilin e ka titulluar “Maçoja e Beogradit”, ku flet për qasjen e tij ndaj Kosovës, për mënyrën se si Vuçiç qeverisë, duke e krahasuar atë me kryeministrin hungarez, Viktor Orban, por edhe për qasjen ledhatuese të perëndimit ndaj tij.

Duke treguar për mbishkrimet fashiste në Serbi, prestigjiozja gjermane thekson se “megjithatë, askush nuk beson se ushtria serbe do të pushtojë në të vërtetë Kosovën”.

Por, sipas saj, “mesazhi është i qartë: Serbia kurrë nuk do të heqë dorë nga Kosova, nuk do ta pranojë kurrë pavarësinë e Kosovës. Dhe është e qartë se këto shkrime as nuk mund të shfaqen dhe as të tolerohen në rrugët e qyteteve serbe pa vullnetin e presidentit. Është Vuçiç ai që po e dërgon këtë mesazh”.

“Që na çon në Berlin dhe Bruksel. Për Gjermaninë dhe BE-në, zgjidhja e çështjes së Kosovës është qendrore – dhe prej vitesh ekziston bindja se ajo mund të zgjidhet vetëm me Vuçiç-in dhe jo kundër. Aksioma e politikës evropiane është: Serbia është shteti më i madh në Ballkanin Perëndimor; Nëse Serbia hyn në BE, ajo do të sjellë me vete edhe shtetet e tjera më të vogla; Për të integruar Serbinë në BE, mosmarrëveshja për Kosovën duhet të zgjidhet; Vuçiç është njeriu i fortë i Serbisë, duhet të bësh biznes me të sepse vetëm ai mund t’ua ‘shitet’ serbëve zgjidhjen e problemit të Kosovës”.

Sipas Die Zeit, ishte ish-kancelarja gjermane, Angel Merkel, ishte ajo që e bazoi strategjinë e saj ballkanike në këtë supozim.

Ajo, theksohet në artikull, ka mbajtur “marrëdhënie shumë të ngushta” me Aleksandër Vuçiç-in. “E takoi atë 16 herë në nëntë vjet dhe pak para se të largohej nga detyra e nderoi me një vizitë lamtumire në Beograd, duke theksuar gjithmonë ‘marrëdhënien e besimit’”.

Vuçiç, shkruan në këtë artikull, “vazhdonte të fliste për ‘shoqen e tij të dashur Angela’”. “Si një student i dashuruar, ai bëri të ditur se ishte gjithmonë i emocionuar kur takonte Merkelin”.

“Por miqësia shkon përtej çështjeve personale. Partia Progresive Serbe (SNS) e Vuçiç-it mori statusin e një anëtari të asociuar të Partisë Popullore Evropiane (EPP), koalicioni i partive konservatore kristian-demokrate, në vitin 2016 dhe e mban edhe sot”.

Kjo, vlerëson javorja gjermane, është e “çuditshme” thjesht, sipas tyre, “sepse EPP mbajti një qëndrim më të ashpër ndaj Fidesz-it të Hungarisë derisa vetë kryeministri hungarez dhe lideri i partisë Viktor Orban u largua në vitin 2021”.

“Vuçiç e ka rindërtuar Serbinë sipas modelit të Orbanit, megjithatë vendi i SNS-së së tij me sa duket nuk është aspak i dyshimtë. Aksioma e domosdoshmërisë së Vuçiç-it ende vlen”.

Nën atë, vazhdon artikulli, “Serbia po largohet nga Evropa”

“Edhe në Bruksel, njerëzit nuk po largohen nga kjo. Kur presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen vizitoi Beogradin në tetor, ajo ishte plot lavdërime për ‘të dashur Aleksandër’”. Serbia ka bërë përparim të madh ekonomik nën udhëheqjen e presidentit. Për mungesën e shumë ankuar të lirisë së medias, ajo tha: ‘Ju keni nisur reformat për sa i përket medias. urime! Tani duhet të fillojmë ta zbatojmë!’”.

“Megjithatë, ka pak shenja për këtë. Pak para zgjedhjeve të ardhshme, tabloidi Informer, një zëdhënës informal i qeverisë serbe, thotë se BE, SHBA, CIA dhe George Soros mbështesin që opozita të largojë Vuçiç-in nga detyra”.

Kjo, në vlerësimin e “Die Zeit” është “propagandë e pastër në stilin e Orbanit”.

“Sipas një studimi të organizatës së shoqërisë civile të Beogradit CRTA (Qendra për Kërkime, Transparencë dhe Përgjegjësi), raportimet kritike për Perëndimin kanë mbizotëruar në mediat serbe që nga fillimi i sulmit rus ndaj Ukrainës, ndërsa raportet për Rusinë kanë qenë shumë miqësore. . Ky është gjithashtu rasti në Hungarinë e Orbanit”.

Por Vuçiç, theksohet aty, president i një vendi kandidat për në BE, ia del mbanë, si me shumë gjëra të tjera, dhe për këtë përmendin faktin se ai refuzon të mbështesë sanksionet e BE-së kundër Rusisë, pas agresionit të saj në Ukrainë.

“Kur iu bë presion për këtë, ai reagoi në mënyrën e tij. Qeveria pretendon se Serbia po furnizon me municion Ukrainën. Çfarë saktësisht? Sa shumë? Nuk ka informacion të saktë për këtë. Sekret shtetëror. Çfarëdo që të pretendojë Vuçiç, njerëzit në Bruksel dhe Berlin me sa duket janë të përgatitur ta besojnë atë. Ai ende konsiderohet i domosdoshëm, ndonëse prej vitesh nuk e ka ‘dorëzuar’ Kosovën. Pse duhet ai? Derisa të zgjidhet ky problem, ai do të jetë i nevojshëm”.

Pra, sipas “Die Zeit” mund të thuash se Vuçiç është një i mbijetuar i aftë”, por megjithatë, “ky është një interpretim tepër dashamirës”.

“Dy gjëra kanë humbur këtu. Sa më gjatë që ai dëshiron të qëndrojë në pushtet me ndihmën e BE-së dhe Gjermanisë, aq më shumë popullata serbe do të distancohet nga Evropa. Sondazhet e tregojnë qartë këtë”.

Aty nënvizohet fakti se kur Vuçiç ishte bërë kryeministër i Serbisë për herë të parë në vitin 2012, përkrahja për anëtarësimin e Serbisë në BE ishte 70 për qind, ndërsa tani është më pak se 40 për qind.

“Boris Stefanoviç, socialdemokrat, parlamentar dhe pro-evropian i vendosur, thotë se në fushatën e tij zgjedhore po i shmanget çështjes së BE-së ashtu si djalli shmang ujin e shenjtë. Me këtë ai vetëm mund të humbiste. Pra, gjërat kanë ardhur deri këtu, pas më shumë se një dekade që BE-ja mbështetet te një njeri që e shet veten si evropian”.

Në analizën e “Die Zeit”, thuhet se Vuçiç nuk ka skrupuj kur vjen puna për pushtet

Kjo, theksohet aty, “na sjell në aspektin e dytë, i cili shpesh anashkalohet”, ku përmedin faktin se Vuçiç e filloi karrierën e tij si një ultra-nacionalist serb, “por asgjë nuk sugjeron se ai ka rishikuar vërtet bindjet e tij thelbësore – jo qëndrimin e tij për Kosovën, jo marrëdhëniet e tij me opozitën, jo miqësitë e tij politike”.

Për ta argumentuar më tej këtë, prestigjiozja gjermane thekson faktin se parazgjedhjeve të 17 dhjetorit, Vuçiç bëri një marrëveshje me mentorin e tij të vjetër, të dënuarin për krime lufte, Vojislav Sheshel.

“Vuçiç nuk ka skrupuj kur bëhet fjalë për pushtetin e tij – dhe ai ka shumë mjete për ta siguruar atë”, potencohet aty ndër të tjera.

Të ngjashme