“Ditët e Diasporës” – Komuna e Vushtrrisë organizon gara në Street Ball

Vushtrri | 25 Kor 2023 | 21:12 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komuna e Vushtrrisë ka përgatitur një varg aktivitetesh kulturo-sportive të cilat do të zhvillohen përgjatë javës në kuadër të festës tashmë tradicionale “Ditët e Diasporës”, raporton Ekonomia Online.

Të martën, aktivitetet vazhduan me ngjarjen sportive që u zhvillua në qendër të qytetit.

Ky aktivitet sportiv është gara në “Street Ball”, ku katër ekipe po garojnë mes vete me eliminim direkt para një numri të konsiderueshëm të qytetarëve e dashamirë të basketbollit.

“Ditët e Diasporës” nisën mbrëmë me një program kulturor-artistik kushtuar bashkatdhetarëve.

I organizuar nën patronazhin e kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, manifestimi qendror kushtuar diasporës vushtrriase u hap me këngë shqipe e valle tradicionale interpretuar nga Ansambli “Hasan Prishtina”.

Mirënjohje janë ndarë për mërgimtarët vushtrrias që kanë kontribuar në çlirimin dhe shtetndërtimin e Kosovës.

“Mirënjohje, respekt dhe falënderim diasporës”, tha i pari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, që hapi manifestimin “Ditët e Diasporës”.

Aktivitetet në kuadër të “Ditëve të Diasporës” do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim. Sot u hap ekspozita nga Safet Rexha, ndërsa të mërkurën do të ketë film dhe ekspozitë nga Burim Haliti. Manifestimi tradicional do të përmbyllet të enjten me koncert nga Elita 5.

Të ngjashme