Drejtoria e Shëndetësisë në Pejë i reagon IKSHPK-së: Mos i vononi rezultatet, po dëmtoni sistemin

Prishtinë | 15 Kor 2020 | 19:10 | Nga Ekonomia Online

Gjatë ditës së sotme, Telegrafi ka raportuar për ankesat e qytetarëve që po testohen për COVID-19, dhe vonesave që po i bën Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik lidhur me rezultatet.

Pas kësaj, ka reaguar edhe Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Pejë, të cilët kanë thënë se vonesa e kumtimit të rezultateve nga ana e IKSHPK-së, është e pakuptueshme.

“Me gjithë respektin për punën e drejtuesve ,specialistëve dhe stafit të IKSHPK-së në Prishtinë është e pakuptueshme, vonesa e kumtimit të rezultateve Pozitive apo Negative, nga mostrat e marra të pacientëve.Vonesa si këto, çdo orë dhe çdo ditë po e rëndojnë sistemin shëndetësorë, edhe ashtu të ngarkuar në komunën dhe rajonin e Pejës”, thuhet në reagim.

Më tej në reagim thuhet se “të njëjtat vonesa po krijojnë panik të madhe tek qytetarët duke lënë mundësi të mëdha për përhapje të panikut, në identifikim të personave të dyshimtë apo të prekur”.

“Mostrat që dërgohen nga Komuna e Pejës, fatkeqësisht ndodhë që të vonojnë deri në 5 apo 6 ditë. Kjo i bie që, pikërisht në periudhën kur pacienti duhet të ndodhet në trajtim, të mos ketë rezultat dhe çfarë është më e keqja, në kohën kur pacienti edhe mund të jetë i shëruar ose në rastin më të rënd kur mund të ketë ndërruar jetë të njëjtit zyrtarisht i komunikohet rezultati pozitiv. Kjo dukuri, përpos që e ngarkon sistemin, e ngarkon dhe dëmton pa masë edhe popullatën dhe lë mundësi paragjykimesh”, vijon njoftimi.

Tutje, Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Pejë ka ftuar IKSHPK-në, që të merr masa të të menjëhershme në përmirësimin e këtij kursi në raport me komunën e Pejës, në mënyrë që t’i kthehen mbarëvajtjes së funksionimit.

Të ngjashme