“EC Ma Ndryshe” kërkon shkarkimin e drejtorëve në Prizren që dyshohen për shkelje të ligjit

Prishtinë | 07 Qer 2020 | 12:10 | Nga Ekonomia Online

EC Ma Ndryshe i ka bërë sërish thirrje kreut të komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, që të shkarkojë drejtorët e dyshuar për shkelje të ligjit.

Haskuka dje kishte njoftuar opinionin se “si pasojë e zhvillimeve të fundit, mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë LVV-LDK dhe krijimit të një̈ qeverie e cila është̈ në kundërshtim me vullnetin demokratik të shprehur më 6 tetor”, e ka të pamundur vazhdimin e koalicionit me LDK-në në Komunën e Prizrenit.

“Ndërkohë edhe dega e LDK-së ka bërë të ditur se si rezultat i këtij zhvillimi nga detyrat e tyre në qeverinë lokale janë liruar nënkryetari i parë i Komunës dhe tre drejtorët, që ishin nominuar nga LDK-ja. Në bazë të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, kryetari i Komunës zbaton përgjegjësitë për emërimin e shkarkimin e nënkryetarit, sikurse edhe të drejtorëve komunalë. Gjithashtu është e drejtë e subjekteve politike që të lidhin marrëveshje politike për bashkëqeverisje dhe t’i shkëpusin ato në bazë të vullnetit të tyre”, thuhet në njoftimin e EC.

Por, EC Ma Ndryshe konsideron se në kuadër të organizimit të punës dhe drejtimit të politikës së Komunës, kryetari i Prizrenit duhet të reflektojë edhe sa i përket përmbushjes së premtimit elektoral për qeverisje me duar të pastra.

“Deri më tani thirrjet e adresuara tek ekzekutivi i Prizrenit për shkarkimin e drejtorëve me aktakuza janë injoruar. Duke marrë parasysh mungesën e deritanishme të vullnetit individual të drejtorëve tjerë komunalë, të cilët kanë aktakuza për të reflektuar në dhënien e dorëheqjes nga pozita e drejtorit të drejtorisë komunale, EC Ma Ndryshe, përsërit kërkesën drejtuar kryetarit të Komunës së Prizrenit për ndërmarrjen e veprimeve konkrete në shkarkimin e drejtorëve komunalë që dyshohen për shkelje të ligjit. EC-i përkujton se premtimet elektorale të Haskuka ishin në vendosjen e standardeve për rastet e tilla dhe ruajtjen e kredibilitetit institucional”, thuhet në komunikatë.

Të ngjashme