Elshani: Mësimi tërëditor në kryeqytet pritet të zgjerohet

Prishtinë | 19 Kor 2026 | 08:30 | Nga Erza Hetemi

Mësimi tërëditor në shkollat e Komunës së Prishtinës pritet të zgjerohet edhe gjatë këtij viti shkollor, ndërsa Drejtoria e Arsimit është në pritje të vlerësimeve nga shkollat për të përcaktuar numrin e institucioneve të reja që do t’i bashkohen këtij modeli.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arianit Elshani, në një intervistë për Ekonomia Online thotë se përvoja e deritanishme ka treguar se prindërit dhe mësimdhënësit në përgjithësi janë të kënaqur, ndonëse mbeten sfida që lidhen me hapësirat, organizimin e aktiviteteve dhe infrastrukturën.

“Për mësimin tërëditor ka raporte të ndryshme që jemi duke i pranuar. Një gjë është evidente, prindërit në njërë anë, një pjesë më e madhe e prindërve, janë të kënaqur me faktin që ofrohet mësimi tërëditor sot në komunën e Prishtinës. Por, në anën tjetër kemi edhe ankesa në raport me hapësirat, në raport me kurrikulën shkollore, në kuptimin edhe të pjesës jashtëkurrikulare që vendoset për nxënësit edhe tjetra që është barra, prapë e madhe, për mësimdhënësit. Pra, i ka disa komponentë që duhet të ndërhyhet patjetër edhe do të synoj që në këto shkolla ku është implementuar mësimi tërëditor të rregullohet edhe njëherë pjesa e komponentit të aktiviteteve jashtëkurrikulare. Dhe pjesa tjetër që mbetet është pjesa e hapësirave që kanë nevojë të ridefinohen, të kemi një ridestinim të disa hapësirave, të krijohen kuzhinat, mensat për secilën prej këtyre shkollave ku do të implementohet mësimi tërëditor. Edhe këtë vit do të zgjerohemi me një numër të shkollave që do t’i ofrojë komuna e Prishtinës për mësim tërëditor”, tha ai.

Elshani tha se aktualisht mësimi tërëditor zhvillohet në 12 shkolla, ndërsa gjatë javëve në vijim do të vendoset se sa shkolla tjera do i bashkangjiten kësaj mënyre të zhvillimit të mësimit.

“Aktualisht mbahet në 12 shkolla. Ne jemi duke e pritur një vlerësim që është duke u bërë prej secilës shkollë, prandaj për numrin e saktë besoj që brenda këtyre dy javëve, pra këtë javë ose javën e ardhshme do të konfirmohet zyrtarisht numri se sa do të procedojmë tutje për të pasur mësim tërëditor. Po e them, kjo do shumë investime, nuk është i lehtë organizimi i mësimit tërëditor, veçanërisht kur jemi të kufizuar me numra të rekrutimit të stafit të mësimdhënësve dhe në anën tjetër edhe pjesa e komponentës jashtëkurrikulare që nevojitet të përfshijë akterë të tjerë. Nevojiten artistë, nevojiten sportistë, nevojiten hapësira për të pasur mundësi me u organizuar kjo në secilën shkollë, sepse shkollat tona janë të ndërtuara për një sistem që ka qenë më herët, pra gjysmëorari, pa pasur nevojë të qëndrojnë më shumë se pesë orë në shkollë. Edhe kjo është sfiduese, sepse duhet korridoret aktuale që janë të rregullohen, oborret që janë aktualisht duhet të rregullohen, të iu jepet funksioni për të mundur të organizohet mësimi tërëditor”, tha ai.

Kurse, sa i përket pritshmërive, Elshani u shpreh se kënaqshmëria është e dyanshme, si nga ana e prindërve po ashtu edhe e mësimdhënësve, duke shtuar se edhe komunat e tjera mund ta marrin shembull Komunën e Prishtinës për mënyrën e organizimit të mësimit tërëditor.

“Kënaqëshmëria është e dyanshme, edhe ajo e mësimdhënësve, edhe e prindërve në anën tjetër, por ka të meta. Sigurisht, këto të meta nuk kishin dalë në pah pa u punuar në këtë drejtim dhe pa u hapur për mësim tërëditor. Prandaj, konsideroj që komuna e Prishtinës aktualisht e ka një pasqyrë të qartë, reale, në raport me veprimet që duhet të merren për ta përmirësuar dhe për ta bërë vërtetë ashtu siç duhet. Mendoj që secila komunë tjetër mund ta marrë edhe për shembull në kuptimin e organizimit. Po them, i ka edhe sfidat e veta që nuk kishin dalë në pah mos me u pasë tentuar të organizohet mësimi tërëditor. Prandaj, është fat i madh ky që tash jemi duke punuar për t’i rregulluar këto aktualet që kemi në mësimin tërëditor, duke filluar nga hapësirat”, tha ai, për Ekonomia Online.

Drejtori i Arsimit, shtoi se ndër sfidat kryesore kanë qenë çështja e ushqimit.

“Një prej sfidave ka qenë çështja e kuzhinës, pra çështja e ushqimit. Tash ne kemi një kontratë me Kuzhinën Qendrore, e cila furnizon me ushqim. Ka nevojë tash me u shiku pjesa e përmbajtjes, pra në kuptimin se çka servohet, si servohet, si hanë, çka gjuhet, çka hidhet në kosh, e të gjitha të tjerat. Dhe pjesa tjetër që e përmenda, edhe komponenta e aktiviteteve. Pra, ne sfidën më të madhe e kemi sepse klasat tona janë të mbushura me nxënës, shkollat tona janë të mbushura edhe kapacitetet e vogla që i kemi nëpër shkolla e bëjnë vërtet të vështirë organizimin ashtu siç duhet. Prandaj, jemi duke punuar në këtë drejtim që t’i krijojmë dhe besoj që shumë shpejt do të arrijmë në nivel të ri për një shkollë që do të fillojë me mësimin kabinetik. Pra, që do të ndikojë edhe në cilësi, por edhe në çështje të mirëmbajtjes së të gjithë invertarit, në këtë rast të secilës shkollë”, tha ai.

Të ngjashme