Identifikohen vlerat natyrore në komunën e Deçanit

Deçan | 04 Qer 2018 | 17:46 | Nga

Në kuadër të realizimit të planit të punës për vitin 2018, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, në bashkëpunim me Komunën e Deçanit, kanë filluar procesin e evidentimit të vlerave natyrore në territorin e komunës së Deçanit.

Me këtë rast, gjatë vizitave në terren do të evidentohen vlerat e natyrës me karakter: gjeologjik, gjeomorfologjik, speleologjik, hidrologjik, botanik etj., të cilat më pas në bazë të vlerave të veçanta me të cilat disponojnë do t’i propozohen për mbrojtje Kuvendit Komunal të Deçanit – Lista preliminare e monumenteve të natyrës.

Pas miratimit nga Kuvendi Komunal, Instituti thotë se do të vazhdojë studimin e vlerave me përgatitjen e elaborateve të veçanta për të gjitha vlerat e natyrës të miratuara nga kuvendi komunal i Deçanit.

Me këtë rast, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, krahas bashkëpunimit me komunën e Deçanit kërkon mbështetjen edhe te qytetarëve të cilët mund të bëjnë propozimet e tyre për vlerat e natyrës të lartcekura që të vihen në mbrojtje institucionale.

Deri me tani në territorin e komunës të Deçanit, vlerat të mbrojtura natyrore përveç Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, monumente të mbrojtur të natyrës janë edhe: Trungu i blirit (Tilia argentea) – Isniq (1968 ) dhe kompleksi i trungjeve të blirit (Tilia argentea) – Isniq (1968).

Në foto: Trungu i Blirit në Isniq

Të ngjashme