Iniciohet rast hetimor lidhur me keqpërdorimet e ujësjellësit në Kamenicë

Prishtinë | 29 Qer 2020 | 16:49 | Nga Ekonomia Online

Komuna e Drenasit, respektivisht kryetari Ramiz Lladrovci, me datën 29.06.2020 ka ftuar organet e hetuesisë, që të iniciojnë hetimet lidhur me projektin e rrjetit të ujësjellësit në Kamenicë, i cili projekt ka filluar së implementuari që nga viti 2010.

Arsyeja pse janë ftuar organet e hetuesisë për të hulumtuar këtë projekt, është se gjatë punimeve për t’u lidhur në rrjetin e ujësjellësit i cili është dashtë të furnizoj 22 vendbanime, është vërtetuar se në disa pjesë nuk ka gypa fare, ndërsa në pjesën ku ekzistojnë gypat, janë jashtë standardeve të kërkuara dhe nuk janë funksional.

Për të gjitha supozimet se gjatë realizimit të këtij projekti ndër vite, ka pasur keqpërdorime, është konstatuar me dorëzimin e raportit nga ana e Komisionit profesional, i cili ka verifikuar dhe vlerësuar gjendjen faktike nga bazenat e Feronikelit deri të bazeni i pompave në Çikatovë e Vjetër, rrjedhimisht verifikimin e komplet ujësjellësit në Kamenicë, i cili komision në bazë të raportit ka gjetur një varg shkeljesh e parregullsish në implementimin e këtij projekti. Ky raport i është dorëzuar organeve të hetuesisë.

Komuna e Drenasit kërkon falje publike ndaj qytetarëve, që edhe pse ky projekt është dashur të përfundoj dhe 22 vendbanime të kenë furnizim me ujë të pijshëm, ne ende po përmallemi me keqpërdorime nga punimet e viteve të kaluara, pra nga viti 2010 e tutje, pasi që ekzistojnë dyshimet se për të njëjtin projekt janë lidhur disa kontrata e të cilat nuk janë realizuar në terren.

Komuna e Drenasit ka kërkuar nga organet e hetuesisë që me prioritet të hetojnë këtë rast, në mënyrë që sa më shpejtë t’i hapen rrugët e rifunksioalizmit të këtij projekti, i cili është në interes të qytetarëve të 22 vendbanimeve të Komunës së Drenasit.

Po ashtu, Komuna e Drenasit, do të merr veprimet e nevojshme administrative, sa i përket zyrtarëve të involvuar në këtë projekt e të cilët, me apo pa dashje kanë lejuar që projekti të mos përfundoj sipas nënshkrimit të kontratës.  

Të ngjashme