Komisioni Disiplinor gjobit Ferizajn e Lirinë, shkak sjellja e tifozëve të tyre

Prishtinë | 07 Qer 2023 | 17:56 | Nga Ekonomia Online

Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës ka gjobitur skuadrën e Ferizajt dhe të Lirisë me nga 1000 euro secilën për shkak të sjelljeve të tifozëve të tyre.

Ferizaj është dënuar për duelin kundër Dukagjinit. Ferizaj fitoi 2:1 dhe mbeti në zonën e barazhit, por trepikëshi i ferizajasve në xhiron e fundit të kampionatit ishte vlerësuar i turpshëm.

Sipas arsyetimit të KD të FFK-së, tifozët e skuadrës së Ferizajt në minutat 1, 16 dhe 49, kanë hedhur mjete prioteknike në fushën e lojës, gjë që shkaktoi në ndërprerjen e ndeshjes për disa minuta, ndërsa në minutën e 95-të kanë hedhur gjësende të ndryshme në fushë. Kjo bëri që ndeshja të ndërpritet për dy minuta.

Gjësende të hedhura në drejtim të asistentit të dytë kishte pasur edhe në minutën e 10-të të kohës shtesë që shkaktoi ndërprerje edhe për dy minuta tjerë.

Dhe sipas kësaj, KD-ja ka dënuar Ferizajn me 1000 euro.

Skuadra prizrenase, Liria, që siguroi inkuadrimin në Superligë nëpërmjet barazhit pasi fitoi ndaj Ferizajt në fundjavë, është dënuar për ndeshjen kundër Ulpianës, që ishte barazhi i Ligës së Parë.

Sipas njoftimit në faqen zyrtare të FFK-së, tifozët e Lirisë kanë hedhur mjete piroteknike tymuese në minutat 4, 23 dhe 32, ndërsa në fillim të pjesës së dytë, kanë hedhur në fushën e lojës mjetet piroteknike tymuese.

Edhe Liria është gjobitur me 1000 euro.

Ndërkohë, nutricisti i FC Malishevës, Erion Luta, është dënuar me katër ndeshje pa të drejtë ushtrimi të detyrës zyrtare në ndeshjet e organizuara nga FFK-ja. Sipas KD të FFK-së, pas përfundimit të ballafaqimit Malisheva-Llapi, ai ka hyrë në fushë dhe ka fyer rëndë gjyqtarin kryesor të ndeshjes dhe është ndëshkuar me të kuq.

FC Prishtina është në procedurë disiplinore po ashtu për shkak të hedhjeve të mjeteve piroteknike tymuese.

Të ngjashme