Komuna e Drenasit nënshkruan kontratat me studentët përfitues të bursave

Prishtinë | 25 Nën 2019 | 17:47 | Nga Ekonomia Online

Në Sallën e Kulturës në Drenas, studentët përfitues të bursës komunale për vitin akademik 2019/2020, kanë nënshkruar kontratat për marrjen e bursës të ndara nga  Komuna e Drenasit.

Me rastin e nënshkrimit të kontratave,  morën pjesë  kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, nënkryetari Nazmi Hasi si dhe anëtarë të komisionit të cilët kanë bërë vlerësimin e aplikantëve për bursë.  Numri i bursave për këtë vit akademik është 160.

Kryetari Lladrovci mbajti një fjalë rasti para  studentëve ku ndër të tjera tha se është  shumë i lumtur që 160 studentë të Komunës së Drenasit, po nënshkruajnë  kontratat për bursa, për vitin e ri akademik.  Ai shtoi se nuk do të reshtë që përmes donatorëve,  brenda mundësive,  të gjejnë mënyra për financimin edhe për  40 bursa për studentë sipas listës së publikuar, sipas  radhës, pas numrit 160. Ne nuk jemi komunë e madhe, por kemi vullnet dhe përkushtim të madh për studentët tanë, të tashmen dhe të ardhmen tonë, shtoi kryetari Lladrovci.

Ndërsa në fjalën e tij, nënkryetari Hasi, tha se studentët janë të preokupuar me shqetësime e brenga të provimeve ndërsa komuna  me këto bursa mundohet që  t’ua lehtësojë preokupimet financiare duke pasur parasysh rrethanat aktuale ekonomike në përgjithësi. Ai shprehu dëshirën që   këto bursa të  kontribuojnë në rritjen e suksesit  të tyre në studime.

Vlera e bursës  komunale për një student është 500 euro dhe me këtë synohet ngritja e  cilësisë në  arsim. Komisioni në përbërje të anëtarëve profesional pas vlerësimit të aplikacioneve ka shpallur përfituesit dhe ka renditur ata  në bazë të numrit të pikëve sipas kritereve të konkursit.

Të ngjashme