Komuna ia shkëputë kontratën kompanisë, rrugën kryesore në Grashticë e zë dimri me trase prej dheu

Prishtinë | 08 Tet 2021 | 20:27 | Nga Ekonomia Online

Rruga e lagjes “Haxhi Bejta” që është kryesorja në fshatin Grashticë të Prishtinës do të mbetet e pa asfaltuar këtë vit.

Shirat e vjeshtës do ta bëjnë rrugën të pakalueshme, pasi mbi të është hequr shtresa e zhavorrit që ka qenë. Gjendja më e vështirë për banorët që hynë e dalin nga ky fshat do të bëhet në dimër.

Komuna e Prishtinës ka shkëputur njëanshëm kontratën me kompaninë “Beni Construction”, për projektin“Ndërtimi i rrugës ‘Haxhi Bejta’ në Grashticë”, e cila kap vlerën 67,537.38 euro, shkruan lajmi.net. Kompania ka arritur që të hap vetëm trasenë e rrugës.

“Ne kemi analizuar me kujdes të gjitha shkresat e menaxherit, shkresat tuaja dhe kemi konstatuar se mosrealizimi i punëve sipas projektit është shkaktuar nga jo serioziteti i juaj konfom kontratës dhe urdhrave të të njëjtit. Në të gjitha shkresat e dorëzuara shihet punëkryesi se ka neglizhuar kërkesat dhe urdhrat e menaxherit të projektit dhe nuk ka gjasa për vazhdim të realizimit të projektit nja i njëjti. Pas pranimit të këtij Vendimi Njësia e Kërkesës –Drejtoria për Investime Kapitale dhe Menaxhim të Kontratave dhe menaxheri projektit mund të kërkojë nga Avokatura Komunale ushtrim të padisë ndaj kryesit të punimeve në gjykatë për mo- respektim të kontratës”, thuhet në vendimin e komunës për shkëputje të kontratës.

Muhamed Emra, zyrtar i lartë për ndërtim urban në Komunën e Prishtinës, i cili ka qenë menaxher i projektit, ka thënë se kontrata është rekomanduar që të shkëputet ngase punëkryesi nuk ka dal në vend-punishte për të kryer punët.

“Në cilësi të menaxherit të projektit ju informojmë se për arsye të mosefikasitetit respektivisht jo gatishmërisë të treguar të operatorit në implementimin e kontratës është bërë propozimi për shkëputje të kontratës në Departamentin e Prokurimit”, tha Emra për lajmi.net.

NPSH ”Beni Contruction” SHPK Vb Tofaj, para pak javësh kanë përfunduar një kontratë me Komunën e Prishtinës, në vlerë prej 144,822.25 euro që ka pasur të bëjë me ndërtimin e një rruge në fshatin Mramor.

Inxhinieri, Shukri Veseli, i cili ka qenë menaxher i kontratës nga kompania “Beni Contruction”, tha për lajmi.net se zyrtarët komunal nuk kanë qenë të interesuar që të kryhet rruga dhe se ka pasur probleme pronësore.

“Aty ka pasur probleme të mëdha, kanë qenë çështjet pronësore. Ka pasur edhe probleme tjera. Thjeshtë menaxherët e tyre nuk kanë qenë të interesuar që të kryhet puna. As ata nuk e kanë respektuar kontratë ashtu siç ka qenë, kanë shikuar veç me e kry kontratën”, tha shkurt Veseli.

Lajmi.net ka parë letrat e shkëmbyera në mes të kompanisë dhe komunës. Në këto letra, komuna disa herë i ka kërkuar kompanisë që të rrisë vëllimin e punëve, ndërsa puënkryesi është arsyetuar që me rastin e gërmimit të gjerë të trupit të rrugës, janë lajmëruar instalimet nëntokësore në nivel të cekët të trupit të rrugës dhe probleme pronësore. Por, menaxheri i komunës, Muhamed Emra thotë se shfaqja e instalimeve ekzistuese gjatë punimeve nuk ka qenë arsye për mos-ekzekutim të punimeve.

“Me këtë rast kemi dhënë zgjidhje teknike dhe këshilla si të veprohet me instalimet e vjetra, ndërsa probleme pronësoro-juridike apo pengesa nga fshataret në ekzekutim të punimeve nuk kemi pas ne këtë segment të trupit të rrugës, gjegjësisht lagjes “Haxhi Bejta”, fshati Grashticë”, thotë Emra.

Kontrata është nënshkruar më datë 29.04.2021. Plani dinamik i kryerjes së punesë ka qenë 90 ditë kalendarike.

Punët e realizuara janë kryer deri më tani janë: Incizimi, piketimi digjital i objektit; Gërmimi i gjerë i trupit të rrugës.

Kjo kompani ka edhe kontrata tjera aktive me institucionet tjera. Më e madhja është ajo më KEK-un në vlerë prej 1,099,995.01 për Furnizim me pjesë ndërrimi të konstruksionit për mekanizmin e rëndë.

Të ngjashme