Latifi takon drejtorët e shkollave, diskutuan për fillimin e vitit të ri shkollor

Rahovec | 27 Gus 2020 | 14:56 | Nga Ekonomia Online

Në sallën e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Rahovecit, kryetari i Komunës, Smajl Latifi ka mbajtur takim me të gjithë drejtorët e shkollave të komunës.

Gjatë këtij takimi është biseduar fillimi i vitit të ri shkollor 2020/2021 dhe zbatimi i masave për mbrojtjen nga pandemia Covid-19. U tha se nuk do të fillojë procesi mësimor pa u bërë dezinfektimi i objekteve shkollore. Po ashtu për pesë shkollat që do të mbahet testi i maturës dezinfektimi do të bëhet gjatë ditës së premte.

Në hapje të takimit, Avni Morina, drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit, u shpreh se pjesë e këtij takimi janë edhe kryetari i Sindikatës së Arsimit për komunën e Rahovecit, Veli Morina dhe koordinatorët e cilësisë për secilën shkollë.

“Përgatitjet për mbajtjen e testit të maturës janë bërë me kohë dhe se para mbajtjes së testit, objektet e pesë shkollave ku do të mbahet testi do të dezinfektohen. Kurse për fillimin e vitit të ri shkollor si DKA, në bashkëpunim me institucionet qendrore si dhe kryetarin e Komunës dhe drejtorët e shkollave i kemi marrë të gjitha masat e nevojshme që të mos ketë pengesa në fillimin e mësimit”, është shprehur drejtori Morina.

Kryetari i komunës, Smajl Latifi u ka thënë drejtorëve të shkollave se në asnjë shkollë nuk do të fillojë mësimi pa u bërë dezinfektimi i objektit të shkollës.

Të ngjashme