Mbahet mbledhja e Shtabit Emergjent të Komunës së Fushë-Kosovës

Fushë-Kosovë | 15 Kor 2020 | 18:44 | Nga Ekonomia Online

Në takimin e sotëm të Shtabit Emergjent në Komunën e Fushë-Kosovës u bisedua për situatën e përgjithshme dhe rreth menaxhimit të pandemisë COVID-19.

Kryetari i Komunës, njëherazi edhe kryetar i Shtabit Emergjent, z.Burim Berisha, në fjalën e tij të hapjes theksoi se situata është nën menaxhim të plotë fal shërbimeve tona, në këtë rast të stafit të QKMF-së dhe Shërbimit Policor – stacioni në Fushë-Kosovë, është nën monitorim dhe në përkujdesje të vazhdueshme.

Masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës po zbatohen edhe në komunën tonë dhe informatat janë se edhe qytetarët por edhe të gjitha veprimtaritë ekonomike e kanë kuptuar dhe janë të njoftuar me këtë vendim. Inspektorët dhe policia po e kryejnë punën mirë, kurse ne do të jemi në shërbim të plotë dhe të angazhuar në mënyrë maksimale në menaxhimin e kësaj situate edhe në ditët në vijim.

Për situatën rreth përhapjes së COVID-19 foli drejtori i QKMF-së z.Osman Maxhera i cili tha se stafi i kësaj qendre është në shërbim të plotë 24 orë pa ndërprerë dhe jemi duke u marrë me të gjitha rastet që kanë të bëjnë me virusin COVID. Drejtori Maxhera në vazhdim njoftoi po ashtu se të gjithë pacientët e infektuar kontaktohen nga stafi ynë dhe gjendja e tyre përcillet sipas nevojës. Gjendja e të infektuarve është e mirë dhe pa shenja të përkeqësimit. Jemi të kompletuar si me staf po ashtu edhe me pajisje mbrojtëse, autoambulanca dhe me furnizim, theksoi në njoftimin e tij dr.Osman Maxhera.

Edhe komandanti i Stacionit të Policisë në Fushë Kosovë, Major Besart Shaqiri, informoi Shtabin se që nga dita e parë jemi të mobilizuar dhe po punojmë sipas dinamikës së paraparë, pra me orar të zgjatur 12 orë dhe fokusi ynë është zbatimi i vendimeve të Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve tjera që merren me këtë problematikë. Situatën e kemi në menaxhim të plotë, jemi në terren bashkë me inspekstorët që nga ora 21:00, dhe deri më tash gjithçka është në monitorim.

Në vazhdim të takimit për diskutime u paraqitën edhe nënkryetari i Komunës z.Fadil Krasniqi, anëtarët e shtabit Qerim Gara, Ekrem Berjani, Abaz Gjigoli, Ali Topalli dhe Maliq Thaqi.

Në fund të takimit kryetari Berisha tha se do të jemi pranë të gjitha kërkesave dhe vendimeve. Me shërbimet komunale, me QKMF-në dhe Policinë dhe së bashku me qytetarët do t’ia dalim që ta fitojmë edhe këtë betejë.

Nga qytetarët edhe me këtë rast u kërkua që të zbatojnë me përpikëri vendimet e Qeverisë së Kosovës dhe të IKSHP-së, gjithnjë duke mbajtur maskat, distancën dhe higjienën.

Të ngjashme