Mursel Ibrahimi shpallet kryetar nderi i Degës së LDK-së në Mitrovicë

Prishtinë | 15 Gus 2019 | 13:51 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryetari i Degës së LDK-së në Mitrovicë dhe ish-nënkryetar e kryetar i kësaj komune, Mursel Ibrahimi, është shpallur kryetar nderi i kësaj Dege.

Propozimin për dhënien e këtij çmimi e kishte bërë kryetari aktual i Degës së LDK-së në Mitrovicë, Safet Kamberi, ndërsa që propozimin e kishin mbështetur unanimisht të gjitha nëndegët dhe po ashtu unanimisht e kishte miratuar edhe Kryesia e Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Në takimin solemn të dorëzimit të çmimit, kryetari Kamberi tha se Mursel Ibrahimi është një veprimtar emblematik i LDK-së në Mitrovicë, i cili aktivitetin e tij partiak e filluar që në ditët e para të formimit të LDK-së dhe vazhdon të jetë akoma i angazhuar dhe përkushtuar maksimalisht për të kontribuar në këtë parti.

“Mursel Ibarhimi është njëri nga veprimtarët e parë të LDK-së në Mitrovicë. Ishte bashkëpunëtori më i ngushtë i themeluesit të degës, profesor Latif Berisha dhe i drejtuesve tjerë të LDK-së në qytetin tonë. Ne anëtarësia e LDK-së në qytetin buzë Ibrit jemi krenar me këtë figurë emblematike të qytetit  dhe i jemi mirënjohës për tërë kontributin që ka dhënë për LDK dhe për të mirë të qytetit e të çështjes kombëtare. Jemi të lumtur që sot po e nderojmë me këtë çmim dhe jemi të bindur se ai do të vazhdoj fuqimisht kontributin e tij në mirë të LDK-së dhe të qytetit e qytetarëve, jo vetëm të Mitrovicës, por edhe më gjerë”, tha ndër të tjera kryetari Kamberi.

Të ngjashme