Në Ditën e Çlirimit, përurohet Shtëpia e Kulturës në Obiliq

Prishtinë | 14 Qer 2019 | 17:23 | Nga Nexhmie Hyseni Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Obiliqi ka shënuar 20-vjetorin e Ditës së Çlirimit, me këtë rast u përurua edhe Shtëpia e Kulturës në këtë qytet.

Për të shënuar këtë ditë në Obiliq shkuan kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, raporton EkonomiaOnline.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, tha se në këtë projekt kanë investuar 900 mijë euro dhe konsiderohet një nga projektet më të mëdha.

“Sot është ditë e veçantë jo vetëm se Obiliqi e ka “Ditën e Çlirimit” po edhe se në këtë festë komunës dhe qytetarëve i ofrojmë një godinë që u ka munguar kjo. Në këtë projekt kemi investuar 900 mijë euro, një prej objekteve më të mëdha. Sot qytetarëve të Obiliqit u uroj “Ditën e Çlirimit”, njerëzve të kulturës për këtë shtëpi të kulturës sepse është një ndër projektet më të bukura”, tha Gashi, raporton EO.

Kryetari i kësaj komune, Xhafer Gashi, pasi që falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje tha se nuk mjafton një ditë për të kujtuar dëshmorët dhe të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e vendit.

“Të kujtosh dëshmorët nuk mjaftoj një dite datë apo akademi ata duhet kujtuar në çdo hap që bëjmë në ndërtimin e Shtetit. Sot Kosova ka ushtrinë e saj, uroj shumë shpejtë të jemi pjesë e NATO-së.

Përfaqësuesi i veteranëve të luftës së UÇK-së në Obiliq, Faton Klinaku, ka thënë se  kontributi i UCK-së për lirinë e vendit po përmendet pak në këtë ditë.

“Si rezultat i luftës e kemi këtë shtëpi të kulturës. Do të ruajmë traditën, kulturën dhe do ta kultivoj traditën e popullit tonë. Kudo në Kosovë po e shënojmë ditën e çlirimit,  e kemi parë që shumë pak përmendet UÇK-ja. Pa UÇK  jo që s’do të intervenonte NATO, po s’do të dinte as ku jemi”, tha ai.

Në këtë ceremoni u ndan edhe mirënjohje për familjarët e dëshmorëve të Obiliqit.

Të ngjashme