Në Gjakovë, me shumë sukses u mbajt Konferenca e Distriktit Rotarian Kosovë dhe Shqipëri

Prishtinë | 09 Kor 2018 | 19:12 | Nga

Me 29, 30 Qershor dhe 01 Korrik në Gjakovë u mbajt ngjarja më e rëndësishme Rotariane vjetore – Konferenca e Distriktit D-053 Kosovë dhe D-055 Shqipëri.

Qyteti i Gjakovës mirëpriti përfaqësuesit e të gjitha Klubeve Rotariane nga Kosova, Shqipëria, si dhe miqtë e Rotarit nga mbarë bota. Rreth 200 pjesëmarrës morën pjesë në të gjitha aktivitetet e Konferencës duke përfshirë punimet e Konferencës gjatë dy ditëve, mbrëmjen festive dhe dorëzimin e detyrës nga kryetarët e kaluar të klubeve tek kryetarët e rinj.

Konferenca Rotariane e Distriktit Kosovë dhe Shqipëri ishte një ndër ngjarjet më të rëndësishme qe ndodhi gjatë këtyre ditëve. Klubi Rotarian Gjakova-Çabrati ishte organizatorë dhe nikoqire e kësaj ngjarjeje madhështore, nën udhëheqjen e Përfaqësuesit të Presidentit të Rotarit Ndërkombëtare Murat Çelik dhe përkujdesjen e Këshillit të Klubeve Rotariane të Kosovës – KKRK.

Butrint Batalli, Kryetar i Komitetit Organizues të Konferencës së Distriktit nga Klubi Rotarian Gjakova-Qabrati na shpjegoj se “Konferenca e Distriktit është shfaqja kulminante për aktivitetet dhe projektet që po zhvillohen në secilën prej klubeve të Rotarit në Distriktin tonë. Është gjithashtu një mundësi e mrekullueshme për shoqërim dhe rrjetëzim mes Rotarianëve dhe më gjerë. Konferenca përpos që u jep rotarianëve dhe klubeve një vizion të Rotarit përtej nivelit të klubit dhe ofron një eksperiencë të paharrueshme për shoqërim, ka edhe karakter festiv dhe argëtues. Në bashkëpunim me Komunën e Gjakovës me Sektorin e Turizmit për mysafirët ne organizuam një vizitë Kulturore dhe turistike në Regjionin e Gjakovës, duke ju bërë të mundshme mysafirëve t’i shohin, pikat turistike, objektet e trashëgimisë kulturore, muzetë dhe atraksionet që Gjakova i ofron.

Gjatë kësaj konference nga folës të spikatur dhe kryetar të klubeve u prezantuan aktivitetet, projektet dhe sukseset e klubeve gjatë vitit të shkuar Rotarian.“

Motoja e Konferencës së Distriktit ishte: “Të festojmë së bashku arritjet e Rotarit”. Ndërsa Tema e Konferencës: ”Rëndësia e vullnetarizmit dhe shërbimit në komunitet”.

Madhështinë e konferencës e shtoj pjesëmarrja e Presidentes Atifete Jahjaga e cila ishte dhe folëse kyçe gjatë Konferencës duke bërë prezantim të shkëlqyer rreth temës së konferencës. Gjithashtu Kryetari i Komunës së Gjakovës z. Ardian Gjini si i pari i qytetit, u dëshiroj mirëseardhje mysafirëve të shumtë, ku ndër të tjera foli për rëndësinë e punës së madhe në shërbim të komunitetit që bëjnë Rotarianët dhe bashkëpunimin me dy klubet rotariane të qytetit. Z.Gjini prezantoj të arriturat dhe planet për zhvillim të mëtutjeshëm të Komunës së Gjakovës si dhe mundësinë e krijuar për investime dhe punësim në Regjionin e Gjakovës tashmë së fundmi me inicimin e Zonës Ekonomike Amerikane të mbështetur nga Qeverisë së Kosovës.

Në mbrëmjen festive ku morën pjesë rreth 200 Rotarian nga të gjitha trevat Shqipfolëse, u bë edhe ndërrimi i çekanëve që nënkupton kalimin e udhëheqësisë së klubit tek kryetarët e rinj. Në mbrëmjen e organizuar në mënyrën më të bukur të mundshme nën tingujt e muzikës dhe shkëlqimit të fishekzjarreve, Rotarianët e treguan edhe një herë unitetin dhe dëshirën e madhe që Shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë frymojnë njësoj nën ombrellën e një Distrikti të përbashkët Rotarian në shërbim të profesionit dhe komunitetit në nevojë.  

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme