Në mungesë të mjekëve mbyllen disa QMF në fshatra të Prishtinës

Prishtinë | 26 Gus 2020 | 20:25 | Nga Ekonomia Online

Muhamet Kastrati disa herë ka tentuar të marrë trajtim mjekësor në ambulanten e fshatit, por pa sukses.

Edhe këtë të mërkurë, Kastrati i është drejtuar ambulantes në Shkabaj të Prishtinës, e cila tash e një muaj e gjysmë nuk është duke ofruar shërbime shëndetësore.

Janë rreth 1 mijë banorë të këtij fshati, të cilët tash e një kohë nuk kanë ku të marrin shërbimet shëndetësore.

Zyrtarë të Komunës së Prishtinës, në një përgjigje me shkrim për KOHËN, kanë thënë se gjendja me pandeminë, respektivisht, infektimi i personelit shëndetësor dhe riorganizimi që ka pasuar, kanë çuar në vendimin për mbyllje.

“Për shkak të situatës me pandeminë #COVID-19, infektimi i personelit shëndetësor dhe riorganizimi i orarit dhe funksionimit të Qendrave për Mjekësi Familjare kanë detyruar mbylljen e të gjitha ambulanteve të Mjekësisë Familjare (AMF) nëpër fshatra, por ku ofrohet vetëm shërbimi infermierik. Kërkojmë ndjesë nga qytetarët, por shpresojmë që shpejt ta tejkalojmë edhe këtë situatë dhe t’i kthehemi funksionimit të mëparshëm dhe ofrimit të shërbimeve shëndetësore në të gjithë territorin e Prishtinës. Në ndërkohë, qytetarët mund t’i marrin këto shërbime në Qendrat e Mjekësisë Familjare më të afërta”, thuhet në përgjigje.

Megjithatë, Komuna e Prishtinës ka thënë se të gjithë ata qytetarë të cilët nuk mund t’i marrin shërbimet në fshatrat e tyre, ato mund t’i marrin në Qendrat e Mjekësisë Familjare më të afërta.

Në Komunën e Prishtinës janë 14 ambulante të mjekësisë familjare.

Të ngjashme