Në Pejë nuk zbatohet rregullorja që detyron bizneset të mos punojnë të dielën

Pejë | 09 Tet 2020 | 19:49 | Nga Ekonomia Online

Punëtorëve të bizneseve private që punojnë edhe të dielave, ua ka prishur punën situata me pandeminë e COVID-19.

Kjo pretendohet t’ia ketë pamundësuar Kuvendit Komunal aprovimin e rregullores për orarin e punës së veprimtarive ekonomike në këtë komunë.

E njëjta, që ndër të tjera parasheh edhe ndalimin e punës ditëve të diela të bizneseve private pasi kishte kaluar të gjitha procedurat ligjore, ishte paraparë të aprovohej në muajin maj.

“Derisa të jenë këto masa dhe vendime të Qeverisë nuk mundemi me procedua në Kuvend. Mirëpo, në momentin që qeveria i tërheq masat, atëherë ne do ta kemi në seancën e rregullt”, tha Islam Husaj, Kryesues i Kuvendit Komunal të Pejës.

Për të drejtën e pushimit të dielave, punëtorët e kontaktuar nga KOHA në disa biznese private, kryesisht tregtare, nuk pranonin të flisnin nga frika se mund t’u hakmerret punëdhënësi.

Shembull për bizneset e tjera private janë dyqanet në Çarshinë e Gjatë, të cilat asnjëherë nuk kanë punuar të dielave dhe nuk punojnë as tash pavarësisht humbjeve që i kanë pësuar nga mospuna për disa muaj shkaku i pandemisë.

“Edhe me kushtetutë e kisha ndaluar me punu të dielave. Gjithqysh e kisha ndalu. Është e tepërt. Kurrkund s’ka me punu shtatë ditë të javës. Kurrkund hiç. Unë po foli si pronar. Por, edhe punëtor me kanë njëjtë kisha fol”, tha Kujtim Kollqaku, Pronar biznesi në Çarshi të Gjatë.

Nga katër komunat e rajonit të Pejës, vetëm Komuna e Deçanit, si njëra ndër komunat e para në vend, ka të aprovuar rregulloren që ndalon punën ditëve të diela, por e cila siç pranon drejtori i Inspektoratit Komunal, Halil Tolaj, prej që ka nisur pandemia, nuk është duke u zbatuar.

Të ngjashme