Në Prizren, disa shërbime administrative zhvendosen përkohësisht në 4 lokacione

Prishtinë | 27 Kor 2019 | 14:54 | Nga Ekonomia Online

Shërbimet administrative, që deri në fund të kësaj jave janë ofruar në katin e parë të ndërtesës së Administratës së Komunës së Prizrenit, do të zhvendosen në katër lokacione të ndryshme. Sipas udhëheqësve të Drejtorisë së Administratës, kjo zhvendosje do të jetë e përkohshme për shkak të fillimit të punimeve për jetësimin e projektit “One Stop Shop” (Qendrës së Integruar me një Ndalesë).

Drejtori Osman Hajdari ka shpjeguar se zhvendosja e shërbimeve po bëhet detyrimisht për shkak të nevojës për ta liruar hapësirën ku do të zhvillohen punimet e projektit “One Stop Shop”, dhe, sipas tij, gjatë kësaj periudhe transitore Komuna do të jetë e përkushtuar që të ofrojë shërbime me efikasitet të njëjtë.

“Shërbimet që do të zhvendosen në lokacione të ndryshme janë këto: Në sallën e sporteve të shkollës SHML “Remzi Ademaj” do të zhvendosen: Zyra e gjendjes civile (ofiqaria) dhe Zyra pritëse.

Në objektin e Drejtorisë për Ekonomi dhe Financa (përballë postës) do të zhvendosen: Sektori i mbeturinave, taksat rrugore, taksat komunale dhe tatimi në pronë. Në Qendrën për Punë Sociale do të zhvendosen: Drejtoria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Zyra për Komunitete dhe Kthim. Në objektin ku gjendet punëtoria e filigranit (ish-Turist Kosova) do të zhvendoset: Drejtoria e Inspektorateve”, ka thënë Hajdari.

Sipas tij, zhvendosja e këtyre shërbimeve do të fillojë me ato tek objekti i Drejtorisë për Ekonomi dhe Financa nga dita e hënë, më 29 korrik 2019. Përveç kësaj, ka njoftuar se është paraparë që pranë shkollës “Remzi Ademaj” të vendoset edhe një e-kiosk, i cili është rifunksionalizuar, derisa në dispozicion do të mbetet edhe e-kiosku, që gjendet pranë objektit të administratës komunale. 

Të ngjashme