Nisi ndërtimi i shkollës së re në Zaskok

Prishtinë | 26 Sht 2019 | 15:17 | Nga Ekonomia Online

Gëzimi i nxënësve të shkollës fillore “Naim Frashëri” në Zaskok, ishte i papërmbajtshëm sot. Të grumbulluar bashkë me mësimdhënësit tyre e drejtuesit e shkollës, ata kishin dal ta presin të parin e Ferizajt, Agim Aliun bashkë me drejtorin e Arsimit, Afrim Llabjani dhe drejtorë të tjerë komunal që kishin ardhur për ta vënë gurthemelin e ndërtimit të objektit të ri të kësaj shkolle. Ky projekt që ka një vlerë prej 1.3 milionë euro, financim nga Ministria e Arsimit, përfundimisht ofron kushtet e volitshme e rrit cilësinë në arsim, për njërën ndër objektet më të vjetra shkollore, si kjo e shkollës “Naim Frashëri” në Zaskok.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që sot po vëmë gurthemelin për shkollën fillore në fshatin Zaskok, që është realizim i një kërkese të kahmotshme, të komunitetit, respektivisht, banorëve të fshatit Zaskok dhe drejtorit të shkollës. Sigurisht se jam i lumtur edhe për faktin se më në fund po i jepet përgjigja e duhur një numri shumë të madh të nxënësve për të krijuar kushte që ata të kenë ambiente më të mira mësimi, dhoma mësimi. Sigurisht se krijohen kushte edhe për mësimdhënësit, pedagogët që poashtu ata, më mirë të ushtrojnë profesionin e tyre dhe që mësimnxënia dhe mësimdhënia të jep në nivel më të ngritur.

Kjo shkollë nuk ka plotësuar kushtet, madje është një prej shkollave më të vjetra në territorin e Ferizajt dhe kjo është edhe arsyeja që ka qenë kërkesë e kahmotshme, por ju siç e dini ka qenë këmbëngulja jonë, Komunës së Ferizajt, sipas kërkesës së komunitetit, këshillit të fshatit, prindërve dhe falënderoj Qeverinë e Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, insistimin e tij që përmes procedurave parlamentare të bëhet pjesë e buxhetit” tha ndër të tjera kryetari Aliu.

Detajet teknike dhe të dhëna të tjera për këtë projekt i dhe edhe drejtori i Arsimit, Afrim Llabjani, kurse drejtori i shkollës “Naim Frashëri” në Zaskok, Ismet Çerkini i gëzuar tha se më në fund investimet janë orientuar në këtë shkollë përmes ndërtimit të godinës së re.

Të ngjashme