Nisma në Gjilan: Në mesin e drejtorëve të emëruar sot, ka me aktakuzë për keqpërdorim detyre

Anila Tusha- Kastrati
Prishtinë | 30 Pri 2018 | 20:02 | Nga

Nisma Socialedemokrate në Gjilan e ka paralajmëruar kryetarin e Gjilanit, Lutfi Haziri, se në këtë mandat do të përballet me një opozitë shumë të fuqishme.

Asamblistja e kësaj partie, njëherësh nënkryetare e degës në Gjilan, Anila Tusha- Kastrati, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka thënë se kaosi i gjithë këtyre muajve kolaps në Komunën e Gjilanit, sot u kurorëzua me dështim.

Ajo madje ka thënë se në mesin e drejtorëve që janë emëruar sot ka edhe të atillë që kanë aktakuzë për keqpërdorim të detyrës.

“Të gjithë i pamë emrat e drejtorëve të rinj të Lutfi Hazirit, që dalin nga koalicioni që u lidh të shtunën në mes tij dhe shumë partive tjera, por pa numra të mjaftueshëm për qeverisje. Ky koalicion jo vetëm që është i dobët, por në mesin e  drejtorëve ka edhe njerëz me aktakuzë për keqpërdorime”, ka shkruar ajo.

Kastrati-Tusha është shprehur se NISMA Socialdemokrate asnjëherë nuk do të bëhet pjesë e një qeverisjeje  pazaresh dhe nën presion.

“Lutë, po të pret një opozitë më e fortë se pozita jote!”, ka paralajmëruar ajo.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, pas nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje LDK-AAK-AKR, bëri publike sot emërimet e larta në kabinetin e tij. Nënkryetar është emëruar Arbër Ismajli (LDK), ndërkaq shef i Kabinetit për mandatin e ri, Faton Bislimi (LDK).

Drejtorinë për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë do ta udhëheqë Sadudin Berisha (LDK), atë të Bujqësisë, Ramiz Ramadani (LDK), resorin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Shpresë Hajdari (LDK), Drejtorinë e Inspeksionit, Nevzad Rushiti (LDK), të Buxhetit dhe Financave, Zijadin Maliqi (LDK), përderisa drejtor në Shërbimet Publike është emëruar Naser Korça (LDK).  Bekim Bajrami është emëruar drejtor në Urbanizëm, që sipas Hazirit, ka ardhur si propozim i organizatave të biznesit, ndërkohë Drejtorinë për Zhvillim Ekonomik do ta udhëheq Valbona Tahiri, e cila vjen nga shoqëria civile.

Drejtor i Administratës së Përgjithshme është emëruar Bardhyl Syla (LDK), i Arsimit, Nazim Gagica (AAK), i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Selami Xhemajli (AAK), përderisa i asaj për Mbrojtje dhe Shpëtim, Sami Spahiu (AKR).

Të ngjashme